"Hajduti i shekullit", i dyshuar edhe për një vrasje
Armand Muçaj, fieraku i arrestuar disa javë më parë për vjedhjen e biznesmenit Suli Shehu në vitin 1998, rrezikon të akuzohet edhe për vrasjen e një vajze. Një familje nga fshati Kolonjë e Lushnjës ka kërkuar nga policia dhe prokuroria të hetojnë për rolin e Armand Muçajt në zhdukjen e vajzës së tyre nëntë vjet më parë. Vajza e zhdukur quhet Enkelejda Beqiri. Sot ajo do të ishte 33 vjeçe, por në vitin 1999 është vrarë në Itali. Nëna e Enkelejdës thotë se trupi i vajzës është gjetur në një pyll në afërsi të qytetit të Milanos, i masakruar me plumba e me thika. Sipas prindërve të Enkelejdës, Bejzanes dhe Hekuranit, në vitin 1994, pas përfundimit të arsimit të mesëm të përgjithshëm në Kolonjë, Enkelejda u njoh me një të ri nga qyteti i Fierit, Armand Muçajn, i cili u konsiderua nga policia si autor i "vjedhjes së shekullit". Të dy së bashku shkuan në Itali dhe punuan për shumë vjet andej. Vinin edhe këtu në Kolonjë, por rrallë. Armandi thoshte se prindërit nuk ia donin si nuse Enkelejdën, ndaj detyroheshin të qëndronin shumë pak në Shqipëri. "Në vitin 1999 humbëm çdo kontakt me vajzën. E kërkuam në fillim nëpërmjet të afërmve dhe të njohurve që ndodheshin në Itali, por askush nuk dinte gjë. Më pas na mori Armandi në telefon dhe na tha që vajza ishte larguar nga ai", thotë nëna. Prindërit tregojnë se i janë drejtuar më pas policisë së Fierit, ku kanë kryer denoncimin për zhdukjen e vajzës dhe kanë ngritur dyshimet e tyre për përfshirjen e Armand Muçajt në këtë zhdukje. Policia në Fier dhe në Lushnjë nuk dha asnjë informacion. Vetëm pas gjashtë vjetësh, Interpol Tirana njoftoi prindërit se vajza e tyre kishte vdekur dhe se trupi i saj ishte gjetur rastësisht në vitin 2005 në një pyll afër Milanos. Motra e Enkelejdës, e cila jeton me bashkëshortin në Itali, bëri identifikimin e motrës dhe ndihmoi hetimet për të zbardhur atë që kishte ndodhur. Të afërmit e Enkelejdës thonë se një person është shpallur në kërkim nga policia italiane si autor i kësaj vrasjeje. Ata nuk janë të sigurt nëse ky person është Armand Muçaj, por dyshojnë se është ai. Prindërit e Enkelejdës pranojnë se vajza ka qenë e detyruar të punojë si prostitutë dhe tutori i saj ishte Muçaj. "Na kanë thënë se punonte në disa hotele në Rimini, Milano, Romë e qytete të tjera të Italisë", thotë nëna e Enkelejdës. Faktin që Armand Muçaj dyshohet si person i implikuar në vrasjen e Enkelejda Beqirit e konfirmon edhe Mihal Monka, ish-kreu i luftës kundër trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Fierit në vitin 2001. Prindërit e vajzës kanë denoncuar në dhjetor të vitit 2001 se kishin dy vjet e gjysmë pa asnjë kontakt me vajzën e tyre. Nga hetimet ka dalë se e zhdukura ka pasur lidhje me Armand Muçajn dhe së bashku me të ka qëndruar në Itali për afro 5 vjet. Këto materiale dhe shumë të tjera që u arritën të sigurohen nga policia e Fierit dhe Interpol Tirana i janë dërguar prokurorisë së rrethit. Por Prokuroria e Lushnjës, me shkresën Nr.127 dt. 11.03.2002, e ktheu materialin sërish në polici për sigurimin e provave dhe fakteve të reja, pasi nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për të nisur një procedim penal për trafik dhe shfrytëzim prostitucioni në ngarkim të shtetasit Armand Muçaj", tregon ish-shefi i sektorit të Antitrafikut në policinë e Fierit. Ndërkohë, në Prokurorinë e Lushnjës pohojnë zyrtarisht se është hapur dosja e kësaj ngjarjeje dhe ndaj Armand Muçajt është duke u përgatitur edhe një akuzë tjetër, nëse vërtetohen dyshimet që ngrenë familjarët e Enkelejda Beqirit.