E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcillet për në banesën e fundit minatori i vrarë

Në fshatin Gurrë e Vogël, qindra banorë, të afërm dhe minatorë të minierës së Batër Martaneshit, i kanë dhënë lamtumirën e fundit dje minatorit Mehmet Rama, i cili humbi jetën të hënën, teksa punonte në galeritë e kromit. Në mes të një hidhërimi të thellë, bashkëshortja, katër fëmijët, dy vajza dhe dy djem, tashmë të mbetur jetimë, si dhe qindra banorë dhe të afërm të fshatit Gurrë e Vogël, i kanë dhënë lamtumirën e fundit njeriut më të dashur të tyre. Shtëpia e vogël njëkatëshe e viktimës ndodhet në krye të fshatit, në këmbë të malit të Gurrës, në afërsi të Qafë-Shtamës. Gra dhe vajza të veshura në të zeza qanin papushim për minatorin e vrarë, i cili u detyrua nga kushtet ekonomike t‘i rikthehej punës në minierë pas 20 vjetësh ndërprerje të saj. Hysen Elezi, 58 vjeç, fis i afërt me të vrarin Mehmet Rama, në shtëpinë e të cilit pinin kafe burrat që ngushëllonin familjarët e viktimës, tha për "Shqip" se i ndjeri i ishte kthyer punës në minierë pas 20 vjet ndërprerjeje, për të plotësuar vitet e punës për marrjen e pensionit të pleqërisë. Por, nuk qe e thënë, pasi gjatë kontrollit të galerisë, një masiv i madh gurësh kromi është shkëputur nga tavani i saj, duke e coptuar tërësisht atë. Djemtë e tij, Behar dhe Eduart Rama, 28 dhe 24 vjeç, emigrantë në Greqi, që kanë ardhur për të varrosur babanë, thonë se vdekja ua ka "tharë krahët", pasi ishte i fortë dhe u mbante derën e shtëpisë çelë në fshatin Gurrë e Vogël. Teksa po pinim kafe për ngushëllim, së bashku me tre kolegë të tjerë gazetarë, rastisi të ulemi pranë një 36-vjeçari, bashkëfshatar dhe shok pune me të ndjerin Mehmet Rama, që kishte parë me sytë e tij aksidentin e rëndë. "Të tregoj unë për ngjarjen, vetëm mos më pyet për emrin, pasi pronari i firmës më pushon nga puna dhe më mbeten fëmijët pa bukë", thotë dhe nis të tregojë: Shpërthimi në galeri ishte bërë të premten. Të hënën u rikthyem në punë. Pasi nxorëm disa vagonë me krom, Mehmeti shkoi në kryqëzimin e galerisë së paarmuar me lëndë drusore dhe duke kontrolluar atë, nga tavani i saj u shkëput një masiv i madh gurësh, që e mbuluan totalisht, duke i marrë jetën.

I pyetur për personelin inxhiniero-teknik, minatori thotë se ata ekzistojnë në letra për të marrë rrogën, por jo çdo ditë vijnë dhe shohin galeritë. Aksidenti i rëndë ndodhi në galerinë e firmës private me pronar Agim Hysën, njëherësh edhe kryetar i degës së LSI-së për rrethin e Matit. Rreth 40 punëtorë që punojnë për llogari të tij, pronari Hysa me profesion inxhinier miniere, i merr nga rrethi i Matit, bazuar në njohjet personale të tij të para viteve ‘90, kur ishte drejtor i minierës së Batrës.

Ai çdo të hënë i merr minatorët me makinë dhe i dërgon për punë në Batër, për t‘i kthyer në shtëpitë e tyre vetëm ditën e premte në mbrëmje. "Duke marrë parasysh edhe akomodimin tonë pranë vendit të punës dhe ushqimin, vlera e pagesë për çdo ditë pune vlen afërsisht sa një kartë telefoni", thotë minatori që nuk do të identifikohet. Gjithsesi, aksidenti i radhës në minierën e Batrës, ku humbi jetën minatori Mehmet Rama nga shembja e galerisë, shënon viktimën e 12 në radhët e minatorëve në minierat e kromit Bulqizë dhe Batër. Kjo është një tjetër jetë e fikur në zinxhirin e aksidenteve që nuk kanë të ndalur edhe pas ndërhyrjeve për rritjen e kushteve të sigurisë në punë. Përveç 8 aksidenteve me vdekje në minierën e Bulqizës, dhënë me koncesion firmës italiane "Darfo-Albania", 2 aksidente me humbje jete kanë ndodhur në galeritë private të Batrës, në më pak se dy muaj dhe 2 të tjera kanë ndodhur në stoqet e kromit, jashtë minierës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›