Turisti i rremë u përlan kursimet dy pensionistëve
Dy të moshuar bien pre e mashtrimit të një të riu. Një person që është paraqitur si turist i ardhur nga Struga e Maqedonisë ka mundur të mashtrojë dy pensionistë, të cilëve më pas u ka marrë 130 mijë lekë. Ngjarja ka ndodhur në Lagjen nr.10 të qytetit të Korçës. Sipas policisë, Violeta Lapi ka bërë një denoncim gjatë orëve të pasdites së të hënës, pasi ka konstatuar se i mungonin paratë. Rreth orës 14:00 të së hënës, teksa rrinin para shtëpisë së tyre, Violeta Lapit dhe bashkëshortit të saj, Nestit, iu është afruar për bisedë një person, i cili është prezantuar si turist i ardhur nga Struga. Ai u tha se kishte ardhur për të vizituar qytetin dhe ka qëndruar me ta për disa orë. I riu mashtrues është interesuar edhe për të ardhurat e tyre, se si e sigurojnë jetesën dhe me kë jetojnë në shtëpi dhe me sinqeritet dy të moshuarit i kanë treguar edhe se kishin një sasi parash të hequra mënjanë, që i mbanin në një valixhe. Pas kësaj, i riu u ka ofruar edhe një shëtitje me makinë në shenjë falënderimi për mikpritjen. Ai i ka larguar 100 metra nga banesa dhe u ka thënë ta presin aty derisa të merrte makinën. Dy bashkëshortët kanë pritur për një orë, por kur kanë parë që i riu nuk po vinte, janë kthyer në banesë, ku kanë parë se valixhja ku mbanin paratë ishte e hapur dhe bosh.