E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infermierja denoncon për dhunë shefin e Urgjencës

Dhunë dhe shkelje të etikës në ambientet e spitalit të Durrësit. Një ngjarje e rëndë mes bluzave të bardha ka krijuar një situatë të nderë në ambientet spitalore. Një infermiere e Urgjencës së spitalit rajonal të Durrësit denoncon në polici shefin e këtij reparti për ushtrim dhune ndaj saj. Burime nga ky spital bëjnë të ditur se ka qenë infermierja Qefsere Dema që ka bërë kallëzimin në Komisariatin e policisë së Durrësit, për shefin e saj Arjan Tivari, i cili sipas infermieres "e ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht, duke e sharë atë me fjalë të pista dhe të ndyra". I kontaktuar nga gazeta "Shqip", mjeku Arjan Tivari tha se gjithçka është një sajesë e infermieres. Atë që ajo e ka quajtur dhunë, shefi i Urgjencës e cilëson si një kërkesë të thjeshtë llogarie. Ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë në Urgjencën e spitalit Durrës, ndërkohë që kallëzimi në Drejtorinë e policisë së Durrësit është bërë pas kësaj ngjarjeje, pasditen e së hënës. Mbërritja e një pacienteje në urgjencë dhe dërgimi i saj për matje të tensionit arterial nga mjeku i turnit, që në këtë rast ka qenë Tivari, ka qenë fillesa e asaj që infermierja e konsideron dhunë, ndërsa mjeku e quan si një ngjarje aspak të rëndësishme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›