Dosja "Kashari" mbërrin në gjykatën e kryeqytetit
Një nga dosjet më të mëdha të viteve të fundit, që zbardh abuzimet e bëra me pronat, ka mbërritur dje në Gjykatën e Tiranës. E njohur me emrin dosja "Kashari", me një volum prej rreth 2000 faqesh, ajo është regjistruar në sekretarinë gjyqësore dhe është bërë gati për t‘iu nënshtruar shortit elektronik, që do përcaktojë gjyqtarin i cili do të drejtojë trupin gjykues të këtij procesi. Dhjetë është numri i personave që do të ulen në bankën e të akuzuarve, ndër të cilët Alfred Sulaj, Faik Fejzo dhe Naim Karaj, të cilët kanë qenë kryetarë të Komunës së Kasharit. Sipas burimeve nga gjykata, në materialin e depozituar nga prokuroria bëhet fjalë për rreth 33 hektarë tokë të kësaj komuna, të cilave u janë tjetërsuar pronarët. Organi i akuzës pretendon se të pandehurit ua kanë marrë këto toka banorëve të Kasharit dhe më pas me dokumente të falsifikuara ua kanë shitur personave të tjerë, kryesisht banorë të Tiranës, të cilët i kanë kthyer ato në sheshe ndërtimi. Toka, me të cilën është abuzuar duke i ndryshuar pronësinë, kap vlera shumë të mëdha që arrijnë në disa milionë euro. Sot pritet që në Gjykatën e Tiranës të hidhet shorti për gjykimin e kësaj dosjeje dhe brenda javës së ardhshme mund të fillojë procesi gjyqësor.