E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengmarrje në sheshin "Skënderbej"

Dy persona kanë tentuar të marrin peng një vajzë 22-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur në qendër të Tiranës, ku policia ka prangosur njërin nga autorët, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim. Burimet policore të kryeqytetit thanë se pas marrjes së informacionit nëpërmjet sallës operative, shkuan menjëherë në afërsi të Pallatit të Kulturës, në sheshin "Skënderbej", sepse është tentuar të merret me forcë një shtetase. Të dëmtuarës 22-vjeçare i është marrë një deklarim mbi rrethanat e ngjarjes. Ajo tregoi se ka njohje me shtetasin Elvis Bilal Gjuzi, 25 vjeç, lindur dhe banues në Fushë-Mëzes, Komuna Kashar. Paraprakisht dyshohet se Elvis Gjuzi, në gjendje të dehur, në bashkëpunim edhe me një bashkëmoshatarin e tij, kanë tentuar të marrin me forcë 22-vjeçaren në automjetin e tyre, në afërsi të Pallatit të Kulturës. Përgjatë shoqërimit për në ambientet e komisariatit, Elvis Gjuzi ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë. Ndaj tij është marrë masa e arrestit në flagrancë për konsumim të veprave penale të "Heqjes së paligjshme të lirisë së personit" në bashkëpunim, si dhe "Kundërshtim të punonjësve të policisë". Ndërkohë po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të Gjuzit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›