E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hajku i Nasho Jorgaqit

12/06/2005  “Nën hijen e bukurisë”- ose metafora e bukurisë në vëllimin e ri poetik të Nasho Jorgaqit, botimet “OMBRA GVG”

Nasho Jorgaqi vjen me një vepër të re poetike nën titullin “Nën hiret e bukurisë”, që ndjek bukur formën dhe përmbajtjen e vjershave fare të shkurtra të një natyre të veçantë lirike, pak të trajtuar në letërsinë tonë të djeshme dhe të sotme. Unë nuk e lidh rastësisht titullin “Nën hiret e bukurisë” me formën e materies poetike. E nënvizoj këtë, pasi hajku, si lloj i poezisë, i përdorur mjeshtërisht nga Nasho Jorgaqi, shpreh bukurinë përmes jetës së njeriut dhe jetës së natyrës të shkrirë në sfondin e qarkut të vitit apo të katër stinëve. Kështu, Nasho Jorgaqi, brenda vjershave trevargëshe, jep stacione të gjendjeve shpirtërore dhe të peisazheve të natyrës të afërta me pikturën. Këto të shkrira së bashku, krijojnë metaforën e bukurisë. Me pak fjalë, duke lexuar hajkun e autorit, njeriu mëson të çmojë bukurinë e thjesht e humane.

...Po të vihet re mirë, në hajkun do të zbulohen tre plane; një varg përfaqëson një plan. Atje do t’i gjeni të tre këto plane: qafa e malit, udhëtarët, varri. Tipar i hajkut në përgjithësi, por edhe i hajkut të Nasho Jorgaqit, është zgjimi i mendimit të fshehur, si në aforizma. Sa më i pasur të jetë nënteksti, aq më e lartë është mjeshtëria. Ky është rrjedhim i konçizitetit të kësaj lloj poezie. Është si vrima e vogël e çelësit të portës së madhe të oborrit, ku të ulesh e të vështrosh të gjitha lulet: trëndafilat e krizantemat bashkë me borzilokun, por edhe me fletët e rëna. Hajku i Nasho Jorgaqit është një grupim harmonik detajesh, që përcjellin gëzimin, hidhërimin, trishtimin dhe pakënaqësinë, apo nostalgjinë për vite të shkuara. Doemos, hajku i Nasho Jorgaqit nuk është hajku klasik japonez, vendlindja e tij. Hajku klasik japonez ka një skenë të rreptë, siç ka edhe rubaia apo soneti. Në vargun e parë hajku ka pesë rrokje, në të dytin shtatë dhe në të tretin pesë. Jorgaqi e thyen këtë rregull, siç e kanë thyer edhe vetë poetët modernë japonezë. Një rregull i tillë klasik është thyer edhe te soneti.

Duke rënë në mendime do të pyesim veten:

ǒiu tek këtij Nashos të bëjë një libër me hajkun, apo si i thonë ndryshe hokku? Përgjigjja ime është se kjo nuk është punë rastësie. Nasho Jorgaqi, që nga romani “Dashuri e Mimozës”, ka pasur një prirje të theksuar lirike. Kjo prirje u bë pastaj më e ndjeshme në tregimet dhe prozat e shkurtra të kohëve më të vona, prurje që bashkon lirizmin me meditimin filozofik, duke ardhur deri te libri i tij me aforizma “Sythe mendimesh”. Dhe kështu, ai bëri që aforizma të përqafojë kushëririn e saj të parë hajkun, për të lindur metafora e bukurisë.

Dritëro Agolli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›