E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tejdukshmëria e dhimbjes

12/06/2005  Shënime për librin me tregime “E verdha e korrikut” nga Miranda Hiranda

Para jo më shumë se dy vjetësh Miranda Haxhia nga Lushnja u duk në Tiranë me dy-tri vëllime me tregime dhe poezi. Kishte marrë një listë çmimesh në konkurse dhe botime kryesisht italiane, siç thonë faqet e prapme të librave të saj, por në këtë xhungël botimesh e çmimesh që më shumë vëriten në erë se sa zënë vend në tokë, në këtë lloj klime pa asnjë hierarki vlerash që përjetojnë botimet në Shqipëri, në këtë ftohtësi asgjësuese për krijuesin që rezervon Tirana e këtyre viteve, ato janë gati asgjë, për të mos thënë përgjasojnë me mashtrimet në atë që këto të fundit, së paku, të gjithë i besojnë më me lehtësi se sa vlerat. I vetmi treg ku, pak a shumë, mund të evidentohesh dhe të marrësh një farë vlerësimi të dukshëm, hë për hë, në Tiranën tonë mbeten mediat, shkrimet publicistike a rubrikat kulturore, ku mund të shpalosësh aftësitë prej analisti, komentatori a reçensuesi. Dhe botimet e cikleve poetike a të tregimeve në gazetat letrare. Ndonjherë këto kanë më shumë sy se sa një libër i vëllimshëm. Libri në këto vite në Shqipëri humbet si gjilpëra në kashtë dhe hajde ta gjesh. Dhe Miranda falë energjisë dhe asaj këmbënguljes për të dalë me forcën e të dy shpatullave prej notari mbi ujë (më drejt mbi pluhurin e rrugëve të shkallmuara të Tiranës), shpejt e pa veten në faqet e para të disa prej të përditëshmeve të vendit. Dhe kjo nuk është pak. Ajo çfarë të bie në sy menjëherë është shkathtësia dhe mëndjemprehtësia. Shija dhe stili i frymëzuar. Dhe ajo tjetra që kjo zonjë e mirë na gëlltit e gëlltit pa u ngopur gati gjithçka të shkruar të korentit, nga librat e nga gazetat. Dhe ka guximin të shprehet publikisht për to. Fort. Ankueshëm. Dhimbshëm. Shpejt. Dhe ironikisht si një ngackë prej Berati që është. Deri këtu mund të themi: bravo Miranda! Dhe se jetën shpirtërore në Tiranë vazhdon ta mbajë ende të shtrënguar pisk politika. Si arrën e fortë midis dy dhëmballëve. Do ta mbajë gjatë vallë?

Pas një çmimi për poezi bashkë me A. Tufën dhe A.Çipën në konkursin “Nosside”, Itali e Jugut, ajo sivjet shpejtoi të publikojë librin me tregime “E verdha e korrikut”. Miranda u kthye te proza, te ambicja e saj më e madhe. ǒjanë këto tregime? Dy janë karakteristikat kryesore. E para, ato janë letërsi me imazhe të dhëna si në pëllëmbë të dorës, si në kinematografi, imazhe që shihen, preken, besohen. Jo një letërsi e virtuales, e mjediseve të shpikura, siç i ka zënë sëmundja disa prozatorë në këto vite të pas-realizmit socialist, po një letërsi e mbështetur mirë në dheun e gjallë. Si të tilla, dhe mjediset, dhe “punët e shpirtit” brenda personazheve të saj jepen në një prozë të rrjedhshme, në një stil të tejpashëm, energjik e përherë të frymëzuar. Edhe gjendjet psikologjike më ekstreme di t’i vizatojë, t’i pikturojë. Këtu kanë rolin e vet detajet, po më shumë aftësia vëzhguese në përshkrimet e kursyera. Detajet ndihmojnë në tepër në karakterizimin e personazheve e ndonjëherë marrin funksionin e simbolikës, si në rastin e asaj personazhes që bëhet më së fundi grua, kur i varros kukullat. Mjediset e saj mbizotëruese janë ce periferi të pikëlluara qytetesh province, me nga një rrugë të spërdredhur përhumbshëm që të çon edhe më thellë te ca ngrehina prej të mjerësh. Aty pëlcet a merr fund një dramë e gjatë, e lodhur vdekshëm. Nga rinia në kujtimet e personazheve vijnë ca vënde buzë ujit, me kopshte, misërishte, me shelgje e me zaje e rërë lumi që personazhet e saj i kanë më përbrenda se sa mishin nën lëkurën e tyre. Nuk ua shqit dot. Aty ka zënë fill dashuria, po dhe drama e mosrealizimit të tyre. Dhe këtu vjen karakteristika e dytë, ajo që ngjyra kryesore e tregimeve të saj është dramacitetit, po një dramacitet i mpiksur dhe i thellë prej proze serioze. Miranda di të jetë e nxehtë, por jo sentimentale se nuk abuzon me dhimbjen. Personazhet e saj në tonalitetin më përfshirës janë tragjikë. Personazhet e saj burra a gra kanë hijen, a mallkimin e vetmisë. Tek “E verdha e korrikut”, tregimi që i ka dhënë titullin përmbledhjes, mund ta quanim dhe tregim antologjik, jepet një personazh aq i deformuar shpirtërisht, i neveritshëm e i shëmtuar në një kurbë që e çon deri në ekstrem rrënimin e tij, por pa ia mohuar atij shëndritjen e një monologu të brendshëm për një dashuri të ndjerë, por kurrë të shprehur. Grotesk, ironi e dhëmshuri bashkë. Personazhet dhe e veçanta që sjell Miranda në këto tregime janë nga bota e gruas. Por nuk është një letërsi feminile, as feministe. Që në faqet e para të disa prej tregimeve është një grua që ikën nga shtëpia. Dhe ajo mistika e përndritjes së fundme që disa nga burrat fatkeqë të këtyre tregimeve e japin frymën në krahët e këtyre grave. Është vallë mistikë gruaje kjo? Duke i dorëzuar tek vdekja, tashmë e më së fundi, askush nuk e shkëput më atë prej tyre, askush nuk do të mundet më t’ia marrë asaj nga krahët. Por ka dhe diçka më shumë. Nga një përdredhje dhunërishte dikur në jetët e tyre ka ndodhur një shkarje e një hon aq humbës sa asnjë lloj lënde nuk mund ta mbushë më. Rikthimi i këtyre grave kur ata janë në grahmat e fundit, është si kthimi i të gjallit te i vdekuri. Sdoqoftë janë të forta e të guximshme dhe shumë fisnike këto gra dashurihumbura që gjenden dhe në momentet e fundit. Në përqafimin e fundit. Kështu amfora e dhimbjes është prekur në fundin më të thellë të saj. E këtu mund të themi: urime Miranda.

Sadik Bejko

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›