E Hënë, 2 Nëntor 2026

Një takim për “Shengenin universitar”

12/06/2005  Nga data 25 deri më 29 maj të këtij viti, në Kavalla të Greqisë u organizua takimi i parë mes studentëve e pedagogëve të fakulteteve apo degëve mbi median e komunikimin nga Shqipëria, Greqia, Bullgaria, Rumania dhe Turqia, që shënoi edhe hapin fillestar në drejtim të krijimit të një netëork-u mes pjesëmarrësve. Takimi u organizua kryesisht nga “Panteio University” në Athinë, në bashkëpunim me prefekturën e Kavallës, që ishte edhe sponsorizuesja e aktivitetit.

Takime dhe konferenca të këtij lloji janë bërë tashmë të modës, por ajo që e dallon evenimentin e Kavallës lidhet me faktin se, ky ishte një takim në nivel ballkanik, pa diskutime të rangut akademik dhe pa një axhendë strikte. Përkundër kësaj, studentë e pedagogë prezantuan shkollat e tyre respektive dhe hodhën ide se çfarë mund të bëjnë së bashku në të ardhmen.

Fryma e mirëkuptimit dhe e bashkëpunimit, bisedat dhe vizitat e organizuara në prefekturë, në median lokale, në vende muzeale si dhe në ishullin e mrekullueshëm të Thasos, krijuan sfondin e nevojshëm për shkëmbimin e mendimeve dhe njohjen e ndërsjelltë.

Gjatë ditës së parë e të dytë të takimit, pjesëmarrësit prezantuan idetë e tyre, të cilat kishin një thelb të përbashkët: Ballkani është streha jonë dhe ne si fqinjë kemi potencialin e duhur për të hedhur pas shpine të gjithë ngarkesat e së shkuarës, të kontribuojmë në ç’tensionimin e situatave dhe zhvillimin e përbashkët në frymën e integrimit evropian. Grupi nga Shqipëria i mëshoi idesë për të gjetur rrugët e afrimit mes institucioneve tona, si në drejtim të kurrikulave e, po ashtu edhe të aktiviteteve multi e bilaterale, duke bërë realitet një “Shengen Universitar, kultural” mes nesh. Gjithashtu, ai theksoi se një nga qëllimet kryesore të ngritjes së një netëork-u ishte kontributi ynë konkret në çështjen e pasqyrimit mediatik të zhvillimeve në vendet tona, pasqyrim që nuk mund të bëhet aspak në mënyrë të njëanshme dhe vetëm duke evidentuar aspekte negative.

Edhe grupet e tjera të përfaqësuara sollën ide e mendime që i mëshonin idesë së bashkëpunimit dhe pikave tona të kontaktit. Rinia studentore e pranishme në sallë i dha freski e gjallëri të jashtëzakonshme këtij aktiviteti me fjalën e vet dhe entuziasmin për të ndërmarrë nisma të ndryshme në shkallë Ballkani. Në mënyrë të veçantë u dalluan studentët e tre universiteteve greke, “Panteio”, “Kapodistria University” në Athinë dhe “Aristotelis” në Selanik, të cilët me mendimet, statistikat dhe vëzhgimet e hollësishme mbi situatën mediatike në vend, dhanë një model për atë punë kërkimore që pritet nga studentë e pedagogë të universiteteve në përgjithësi. Studentët nga Turqia prezantuan fakte lidhur me qëndrimin e qeverisë ndaj gazetarëve, mbi censurën etj., kurse grupi i studentëve tanë sollën përvojën e angazhimit të tyre që në kohën e shkollimit nëpër institucione të ndryshme mediatike. Në përfundim, grupet ranë dakord për nisjen e një sërë projektesh lidhur me kurrikulat dhe vendin e Ballkanit në to, për krijimin e një ëeb–side të përbashkët për të rejat dhe situata respektive, ngritjen e një forumi on-line dhe organizimin e diskutimeve me interes të gjerë për njerëzit e medias dhe botën akademike, botimin e një reviste me karakter studimor etj.

Diskutimi i lirë e miqësor si dhe mikëpritja e organizatorëve dhe e qytetit të Kavallës, krijuan tek të gjithë pjesëmarrësit atmosferën e një ngjarjeje të veçantë, të ngjeshur në takime e shkëmbim idesh, që më së shumti solli para syve të të gjithëve një mozaik Ballkani në miniaturë, me qytetërimin e vet tradicional dhe mirëkuptimin shekullor të fqinjëve.

B.Gjergji

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›