E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vilareali ndal Realin e Madridit

Sërish nuk ishte mbrëmja mbretërore dhe sërish nuk pati fitore për skuadrën nga Madridi. Reali i madh dhe trajneri i saj Zhoze Murinjo nuk morën 3 pikët në “El Madrigal” duke qenë tani 6 pikë para Barcelonës, por edhe të fortë në krye të kampionatit spanjoll.
Madje, në nisje të takimit, ishin vendasit që rrezikuan seriozisht, madje përballë Nilmarit u desh ndërhyrja shpëtimtare e Iker Kasijasit. Megjithatë, minutë pas minute, Reali e ngriti nivelin e lojës dhe Ronaldo e Benzema gabuan kur mund të kishin shënuar. Ishte minuta e 43-të kur portugezi doli në pozicion të mirë, por deshi të pasonte tek francezi, duke gabuar gjithçka.
Në pjesën e dytë, madrilenët ishin më të vendosur dhe më në fund kaluan në epërsi në minutën e 61-të. Mesut Ozil shërbeu mrekullisht me takë për Ronaldon dhe numri 7 nuk priti aspak, por shënoi golin e tij të 100-të në kampionat për Realin. Kaq gola ai i ka shënuar në vetëm 91 ndeshje. Diçka fantastike.
Më tej, Kedira iu afrua golit të dytë për miqtë, por pikërisht 8 minuta para fundit, erdhi goditja fatale. Një goditje dënimi para zonës, u ekzekutua shkëlqyeshëm nga Markos Sena, ndërsa Iker Kasijas mund të kishte ndërhyrë më mirë.
Barazimi 1-1 siç duket bëri të shpërthenin gjakrat dhe fillimisht u përjashtua me karton të kuq Murinjo. Pas tij, Sergio Ramos mori të verdhën e dytë pas një ndërhyrjeje të rëndë, duke dalë nga loja me karton të kuq. E ndoqi nga pas Mesut Ozil, mesa duket pasi gjermano-turku duhet të ketë lëshuar ndonjë sharje për gjyqtarin.
Ndeshja përfundoi 1-1, por pati kohë edhe për një karton tjetër të kuq, tashmë pas mbylljes së saj, dhe i ndëshkuari i fundit ishte madrileni tjetër, Gonzalo Higuain. Reali do të ketë shumë mungesa javën e ardhshme ndaj Sociedadit në “Bernabeu”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›