E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trukimet Blater jep alarmin

Sep Blater ka dhënë alarmin, se ndeshjet e trukuara po minojnë besueshmërinë e futbollit dhe problemi po përkeqësohet. Duke folur në Kongresin e përvitshëm të UEFA-s, që po zhvillohet në Stamboll, presidenti I FIFA-s bëri të ditur se vendimi i institucionit që ai drejton për të përdorur “sistemin e paralajmërimit”, që monitoron ndeshet e dyshuara dhe njofton policinë ndërkombëtare e Interpolin po jep efekt. Megjithatë, Blater theksoi se çështja e basteve po merr përmasa më të mëdha.
“FIFA, UEFA dhe konfederatat e tjera të futbollit nuk janë përgjegjëse për të gjithë problemet me të cilat ky sport po përballet në botë. Gjithsesi, duhet të jemi gjithmonë të vëmendshëm. Po përballemi me një problem të ri, këtu e kam fjalën për bastet ilegale, që sjellin trukimin e ndeshjeve dhe manipulimin e rezultateve”.
Gjithashtu, Blater konfirmoi edhe siguracionin që UEFA ka realizuar për lojtarët që luajnë në Europë, në rast se ata dëmtohen gjatë ndeshjeve ndërkombëtare. Ai shtoi se kjo zgjidhje do të përhapet në të gjithë botën, duke nisur prej shtatorit, kur startojnë kualifikueset e Botërorit 2014.
“Prej këtij viti e në vazhdim, duke nisur nga datat zyrtare për kualifikueset e Botërorit, në do të kemi një siguracion për të gjitha ndeshjet e parashikuara në calendar. Ky siguracion mbulon futbollistët, klubet dhe federatat”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›