E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hejnkes Bajernin e ndihmoi fati

Trajneri i Bajernit të Mynihut, Jup Hejnkes ka deklaruar se Bajerni i Mynihut ishte me fat që mposhti Borusia Mynshëngladbahun dhe arriti të kualifikohej në finalen e Kupës së Gjremanisë.
Rezultati qëndroi i pandryshuar 0-0 prej fillimit të sfidës dhe deri në kohën shtesë, ndërsa për të përcaktuar fituesin e duelit u nevojitën ekzekutimet e 11-metërshave. Lojtarët e Bajernit u treguan më të saktë nga pika e bardhë, duke fituar me rezultatin 4-2, por Hejnkes pranoi se ndeshja mund të kishte përfunduar ndryshe.
“Të dyja skuadrat ishin të shkëlqyera. Mynshengladbah luajti e organizuar mjaft mirë dhe rrezikuam shumë”, tha Hejnkes për faqen zyrtare të klubit. “Gjithsesi, ne kishim shanset më të mira për shënim, por edhe ata krijuan mundësitë e tyre. Fakti që fituam vetëm pas penalltive më bën të them që ishim me fat”.
Manuel Nojer ishte heroi i mbrëmjes për bavarezët, me pritjen në penalltinë e Nordtveit, ndërsa trajneri Hejnkes vlerësoi paraqitjen e portierit, jo vetëm në ekzekutimin e 11-metërshave, por edhe gjatë lojës. Bajerni i Mynihut do të luajë kundër Borusias së Dortmundit në finalen që do të zhvillohet më 12 maj në Berlin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›