Hajnat nuk kursejnë as xhami e as kisha
Hajnat ordiner dhe ata të “niveleve” ndërkombëtare, ka kohë që operojnë në Strugë e rrethinë, duke mos ngurruar të hynë me dhunë edhe nëpër objekte fetare dhe në të shumtën e rasteve mbeten të pazbuluar.
Disa herë janë vjedhur kishat në rajonin e Strugës, ku janë marrë ikonat me vlera, por nuk janë kursyer as xhamitë në rrethin e Strugës. Nga SPB në Ohër, zëdhënësi Stefan Dimoski, në një prononcim lidhur me vjedhjet në objektet fetare ka deklaruar:
“Për fat të keq, me vepra të rënda penale po ballafaqohemi edhe në rajonin e Strugës, ku gjatë vitit 2010, kemi evidentuar katër vepra penale, vjedhje të rënda dhe hyrje me dhunë në xhami, në disa fshatra të Strugës. Poashtu, kur bëhet fjalë për vepra të këtilla penale, dua të theksoj se kanë ndodhur edhe 17 vepra tjera të rënda penale, vjedhje nëpër kisha në disa fshatra të Strugës. Ajo që është karakteristike, në të gjitha rastet nëpër objektet fetare, është se gjithkund është hyrë me dhunë, duke thyer derën hyrëse ose bravën apo drynin me mjetë të përshtatshme për kryerjen e veprave penale.
Nëpër xhami janë marrë para, disa sende prej floriri dhe dy abazhur, që me dhunë janë shkëputur nga brendësia e ambienteve të xhamive, ndërsa nga kishat janë marrë ikona- e bëhet fjalë për 47 ikona të vjedhura, që kanë vlerë të paçmuar dhe rëndësi të veçantë”.
Në vazhdim, Stefan Dimoski shprehet: “Ajo që është obligim primar i organeve, është zbulimi i kryesve të veprave dhe ne ndaj disa personave të dyshuar se kanë operuar në rajonin e Strugës, dhe kemi ngritur edhe kallëzime penale, ndër të cilat më karakteristike është kallëzimi penal kundër katër personave shtetas të huaj me banim në Maqedoni, në bazë të të cilëve kemi zbardhur disa raste të vjedhjeve të rënda autor të të cilave ishin pikërisht këta katër persona.
Deri më tani, informacione operative që mund të dëshmohen në teren, nuk kemi, por falë bashkëpunimit të organeve të policisë dhe popullatës vendase që është në një nivel të lartë, megjithatë obligim parësor yni mbetet që të zbulojmë dhe të zbardhim të gjitha rastet. Kur përmenda bashkëpunimin me popullatën vendase, vlen të theksohet se ishte ndihmesa e tyre që arritëm realizojmë e të kapin grupin ndërkombëtar kriminal prej katër personave që ishin kryes të veprave të rënda penale në rajonin e Strugës”-përfundon prononcimin Stefan Dimoski, zëdhënës i SPB-së në Ohër.(INA)