Hajredin Kuçi jep dorëheqjen nga dy postet qeveritare

Hajredin Kuçi
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka dhenë dorëheqje nga të gjitha postet qeveritare. Dorëheqja e tij e paralajmëruar pasoi vendimin e Kuvendit për mos-heqjen nga Kodi Penal të dy neneve, 37 dhe 38, të cilat kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit, në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.
Kohë më parë ai ishte zotuar publikisht se nëse këdo dy nene nuk hiqen nga Kodi Penal, ai do të dorëhiqej nga qeveria. Në një konferencë të jashtëzakonshme, Kuçi ka njoftuar mediat për vendimin e tij.
I kam ofruar dorëheqjen kryeministrit nga pozita e të qenët anëtar i qeverisë së Kosovës. Këtë e bëj për disa arsye, nuk jam i shtyrë nga askush, por besoj se fjala e dhënë, morali i përcaktuar nga vetë unë dhe pa u shtyrë nga askush tjetër, mendoj që duhet të mbahet dhe e dyta mendoj që në këtë vend duhet të punohet për lirinë e shprehjes së mediave, ka thënë Kuçi.
Menjëherë pas dhënies së dorëheqjes të Kuçit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shqyrtuar dorëheqjen e zëvendësit të tij dhe ministrit të Drejtësisë. Por, Thaçi e ka rihapur sërish riprocedimin e Kodit Penal për në Kuvend pa nenet 37, 38 madje edhe atë 39.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Thaçi ka deklaruar se ndjehet i turpëruar nga vendimi i Kuvendit për votimin e Kodit Penal.
Befasisht, sot Kuvendi i Kosovës mori vendim sa i përket Kodit Penal, për çka ndjehem edhe i turpëruar, vendim i cili u votua edhe nga deputetët e PDK-së. Por, si kryeministër, asnjëherë nuk do të pajtohem me ligje që mbyllin fjalën e lirë, ka deklaruar kryeministri Thaçi.
Kryeministri ka paralajmëruar se Kodi Penal do të ri-procedohet sërish në Kuvend pa nenet 37.38 dhe 39.