LSI në vjeshtë vjen me ndryshim, zëvendëson ministrat në kabinetin qeveritar

Kreu i LSI-së, Ilir Meta
Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të ndryshojë ministrat në kabinetin qeveritar në shtator. Lajmi është bërë i ditur në një konferencë për mediat nga kreu aktual i LSI-së, Ilir Meta. Meta u shpreh se në 22 shtator do të zgjidhet kryetari i ri i LSI-së, gjithashtu bëri me dije, disa ndryshime në postet e ministrave në qeveri.
Mësohet se ndryshime do të ketë në të gjitha postet ministrore që i takojnë LSI-së. Është bërë e ditur se, Vangjel Tavo është propozuar të jetë ministri i ri i Shëndetësisë, për të zëvendësuar në këtë post Petrit Vasilin.
Ndërsa Nasip Naço, që aktualisht është ministër i Ekonomisë do të jetë nënkryetar i Parlamentit. Në vend të tij është propozuar Edmond Haxhinasto. Haxhinasto do vazhdojë të jetë njëkohësisht edhe zv/kryeministër, por do heqë dorë nga posti i ministrit të Jashtëm.
Vendin e Haxhinastos në ministrinë e Jashtme, Meta ia ka besuar Edmond Panaritut, aktualisht nënkryetar në Bashkinë e Tiranës.
Në këtë konferencë për shtyp, kreu i LSI-së tha se pas mbledhjes së kryesisë së LSI-së u vendos që, Petrit Vasili, ka ofruar dorëheqjen nga posti i ministrit të Shëndetësisë, dhe propozohet të jetë drejtuesi i Komitetit Organizator, i cili do të bëjë përgatitjet për Konventën e LSI-së, e cila do të mbahet më 29 dhe 30 shtator 2012.