Berisha, mesazhe injoruese ndaj SHBA për KQZ-në
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është vënë në lëvizje për ti kthyer përgjigje ambasadorit të SHBA në Tiranë, pas një sulmi publik që ky i fundit i bëri KQZ për minim të besimit të opinionit publik ndaj këtij institucioni. Ishte fjala për një refuzim flagrant të KQZ për të shqyrtuar mbledhjen e firmave sipas Kushtetutës për një referendum popullor kundër importit të plehrave. Deklarata e ambasadorit amerikan nuk hynte tek ato deklarata, për të cilën kërkohen sqarime. Ajo ishte thjesht një koment i ashpër kundër KQZ, duke përfshirë këtu brenda një qëndrim të qartë politik të SHBA kundër këtij institucioni në Shqipëri.
Reagimi i KQZ-së pas deklaratës së ambasadorit rihap shumë probleme të mënyrës se si funksionon ky institucion dhe arrogancës fyese me të cilën ai trajton të drejtën e qytetarëve të këtij vendi për të vendosur vetë për fatet e tyre.
Shija e parë e hidhur të mbetej nga fakti që përgjigja i drejtohej ambasadorit amerikan, ndërsa kërkesën për referendum e kanë bërë mijëra qytetarë shqiptarë, të tubuar rreth një koalicioni të shoqërisë civile. Ata që kanë mbledhur firmat dhe kanë bërë kërkesën ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje, ndërsa KQZ vihet në lëvizje për tu përgjigjur komenteve të ambasadorit amerikan, i cili nuk është se kërkoi dhe mendimin e KQZ për komentet e veta. Pra logjika e Berishës është mospërfillja ndaj atyre që ka detyrim kushtetues dhe futja në polemikë politike me një diplomat perëndimor, i cili shpreh vlerësimet negative të veta dhe qeverisë së tij ndaj këtij institucioni.
Përveç shihej së hidhur që të lë adresimi i gabuar i KQZ, ka pastaj një sërë problemesh me logjikën me të cilën KQZ përpiqet të mbrojë një shkelje të pastër të Kushtetutës, për të cilën jo vetëm duhet të shkarkohen, por të ndiqen penalisht deri në fund. Arben Ristani thotë se ka dyshime që plot firma në atë peticion dyshojmë që janë fallco!!! Shikoni kë kemi në krye të institucionit që ka në dorë votën tonë. Një njeri që të penalizon për dyshime. Është njësoj sikur të thotë në zgjedhjet e 2013 dyshoj që opozita mund të fitonte dhe shpall fitues Partinë Demokratike. Nëse dikush ka parregullsi në dokumentacionin e nënshkrimeve, së pari këto parregullsi duhet të konstatohen dhe tu referohen atyre që i kanë depozituar. Mund të ketë mes tyre gabime teknike, ortografike apo ndonjë problem tjetër. Nëse organizatorët i pranojnë këto vërejtje si parregullsi dhe i korrigjojnë, kaq është e gjitha. Nëse ata tentojnë të shkojnë në referendum me firma të falsifikuara siç thotë Ristani, atëherë kjo është çështje që e zgjidh prokuroria dhe jo Ristani. Fakti që Ristani artikulon një akuzë pa bërë asnjë verifikim formal dhe asnjë konsultim paraprak për kolaudimin e materialit me organizatorët, do të thotë se ai i shikon ata si armiq, që duan të përmbysin pushtetin dhe refuzon të pranojë logjikën e tyre. Nga ana tjetër duke formuluar akuzën për falsifikim, ai kërkon të ngrejë një sistem të tërë verifikimesh policore dhe kriminalistike, për të ngjallur terror tek nënshkruesit dhe për ta kthyer gjithë këtë proces në një kalvar terrori mbi atë pjesë të shoqërisë civile, që është e vendosur të mbrojë të drejtën e shqiptarëve për tu pyetur për vendin e tyre dhe fatin e tij. Arsyetimet e tjera bajate të tij për vonesë të nënshkrimeve janë lehtësisht të verifikueshme si mashtrime, pasi firmat janë dorëzuar më 13 mars, dy ditë para afatit kur kërkohet një referendum për tu kryer brenda vitit.
Pra, në tërësinë e vet KQZ ka reaguar jo si një institucion kushtetues që ka detyrë të garantojë verifikimin e vullnetit të qytetarëve shqiptarë për një çështje që hidhet në votim, por si një trupë gjykuese që e konsideron apriori shoqërinë civile armike të pushtetit dhe refuzon të zbatojë një detyrim kushtetues.
Duke iu rikthyer dhe një herë reagimit të tyre pas deklaratës së ambasadorit amerikan, duhet të themi hapur se kjo deklaratë nuk lidhet vetëm me këtë gjest antikushtetues të Arben Ristanit, por me historinë e tij në krye të KQZ dhe nevojën për tu larguar dhe për tu gjykuar për ato që ka bërë. Reagimi i tij ordiner për një akuzë thellësisht parimore dhe politike, tregon qartë se ai ka marrë leje nga pushteti të bëhet kalë beteje në debatin mes opozitës, faktorit perëndimor dhe qeverisë për ndryshimin e KQZ, me premtimin se qeveria do ti qëndrojë deri në fund si garante e mosshkarkimit. Mënyra si KQZ është sjellë me nënshkrimet për referendumin kund plehrave, përforcon traditën e saj për rishkruajtjen e kompetencave të këtij institucioni, i cili shpik rregulla të reja gjatë proceseve, pavarësisht si janë shkruar. Në kod elektoral thuhet qartë se dy anëtarë të KQZ mund të kërkojnë hapjen e kutive, kurse Arben Ristani e injoroi. Në kod zgjedhor nuk thuhet që kur kandidati i qeverisë nuk shpallet fitues, pasi nuk i mjaftojnë votat, mund të kërkohen vota jashtë kutive ose në kuti të tjera derisa të shpallet fitues, por Arben Ristani e bëri edhe këtë për Lulëzim Bashën. Në KQZ thuhet qartë se kur mblidhen 60 mijë nënshkrime nga qytetarët, mund të mbahet një referendum, por Ristani e injoron këtë ligj duke shprehur dyshime për firmat.
Pra, nga gjithë praktikat e tij në krye të KQZ duhet të kuptojmë se ai nuk ka punë me ligjin, por me Sali Berishën. Si i tillë ka folur dhe ndaj ambasadorit amerikan dhe ndaj atyre që kërkojnë të ndalojnë importin e plehrave në Shqipëri. Lajmi i vërtetë është se Sali Berisha i ka thënë ambasadorit amerikan se nuk kam ndërmend të dëgjoj komentet e tua mbi KQZ-në time. Dhe nuk ka për ti dëgjuar vërtet!

