Referendumi kundër plehrave, KQZ: 70 % e firmave të analizuara janë të falsifikuara
Duket se tanimë nuk ka asnjë dyshim se KQZ nuk ka ndërmend të lejojë mbajtjen e një referendumi kundër importit të plehrave në Shqipëri. Në një njoftim të dërguar nga zëdhënësi i KQZ thuhet se policia u ka kthyer përgjigje për firmat dhe thuhet se 70 përqind e atyre që janë dërguar për verifikim janë të falsifikuara.
Përtej parregullsive teknike, në vijim të verifikimit të nënshkrimeve dhe dokumentacionit përkatës, me sy të lirë, u krijua dyshimi se, shumë emra të zgjedhësve dhe nënshkrimet përkëtëse të tyre ishin të plotësuara nga e njëjta dorë. Në këto kushte, të ndodhur para një mundësie falsifikimi të dokumentacionit, KQZ më dt. 12.06.2012, i dërgoi një kampion të Modeleve-Tip, në Drejtorinë e Policisë Shkencore, për të bërë verifikim të specializuar të emrave dhe nënshkrimeve të zgjedhësve për të cilat kishte lindur dyshimi i falsifikimit.
Më datë 22.06.2012, me shkresën nr.2407. prot, Drejtoria e Policisë Shkencore dërgon përgjigje për aktin e ekspertimit grafik të nënshkrimit. Nga akti i ekspertimit nr.5905, rezulton se rreth 70% nga totali i kampioneve të dërguar nga ana jonë janë të falsifikuara. Në këto rrethana KQZ, do të mblidhet për të marrë vendimin përkatës, brenda të gjitha afateve kohore të përcaktuara nga kuadri ligjor, thuhet në njoftimin e KQZ.
Pas kësaj përgjigjeje të KQZ-së, ambientalistët kanë kërkuar ndërhyrjen e Avokatit të Popullit për këtë heshtje joligjore të KQZ-së.
I çuditshëm fakti që u dashka çuar në Ministri të Brendshme për t’u verifikuar në laborator, kur ka pasur gjithë kohën e mundshme prej tre muajsh për të verifikuar çdo gjë që duhej verifikuar. Ky shqetësim i yni sot, mendoj se duhet marrë në konsideratë. Ne nuk e shohim të thjeshtë përballjen me institucionet shurdhe të këtij shtetit dhe prandaj kemi shpresën se institucioni i Avokatit të Popullit do të na ndihmojë që vullneti i popullit të lejohet të shprehet, thotë Lavdosh Ferruni.
Çdo qytet pranë doganave ka ngritur kompani riciklimi, jo për mbetjet e vendit, por për mbetjet e vendeve të tjera, thotë Sazan Guri, ambientalist.
“Do të bëj të gjitha përpjekjet dhe do të përdor të gjitha kompetencat ligjore të Avokatit të Popullit për ta trajtuar dhe për të nxitur institucionin e KQZ-së, por edhe çdo institucion tjetër shtetëror, në mënyrë që t’i përgjigjet në formën sa më të ligjshme dhe korrekte, ju si përfaqësues, por edhe të gjithë qytetarëve, që ju kanë besuar ju dhe kanë besuar këtë çështje që është e rëndësishme për ta dhe për jetën e tyre”, tha Avokati i Popullit, Igli Totozani.