Hajvalia thellon Kosovën në krizë

Llamkos Kosovës as ndihma e tifozëve të vet nuk po i ndihmon për të dal nga kriza e keqe e rezultateve. Përkundrazi, vushtrriasit tashmë janë futur në krizë akoma më të thellë, ngase të mërkurën u mposhtën në shtëpinë e tyre nga Hajvalia me rezultat 3:4 – në kuadër të xhiros së tetë.
Kështu, edhe pas gjashtë xhiros bardhekaltrit mbetën pa shënuar fitore, të cilën e kishin në duar, por që ua mohoi Hajvalia, edhe atë në mënyrë sensacionale, pasi disfatën ia dolën ta kthejnë në fitore.
Mysafirët kanë kaluar të parët në avantazh prej 0:1 në sekondat e parë të takimit nëpërmjet Fillim Guraziut. Por, vendasit u këndellën, duke shënuar më pas tri herë rresht nëpërmjet Mulliqit në minutën e 17-të, Zabërxhës në minutën e 32-të dhe Ylli Prekopucës në minutën e 45-të.
Edhe pse Festim Krasniqi në minutën e 48-të shënoi për rezultat 3:2, pak kush priste që vendasit do ta lëshonin fitoren nga dora. Por, këtë e paralajmëroi Guraziu në minutën e 83-të, kur i barazoi shifrat në 3:3.
Kjo bëri që vendasit të hidheshin në sulm për ta rikthyer avantazhin, por mysafirët nëpërmjet një kundërsulmi të shpejt të prirë nga Festim Krasniqi, në minutën e 90-të ia dolën ta ‘pushtojnë’ Vushtrrinë, të cilën e mposhtën me rezultat 3:4.
Drenica – Drita 1:1
Tashmë kanë kaluar shtatë javë që Drenica nuk shënon dot fitore. Kuqezinjtë nuk kanë mundur të fitojnë pikë të plota as të mërkurën përballë Dritës, ngase ky takim ka përfunduar me rezultat të barabartë, 1:1.
Vendasit kanë kaluar të parët në avantazh prej 1:0 në minutën e 4-t, me një gol të bukur që e realizoi nga gjuajta e lirë Kushtrim Lushtaku, i cili u rikthye në Skenderaj nga Suedia.
Por, dyzet minuta më vonë, gjilanasit i barazuan shifrat në 1:1 nëpërmjet Ismet Ramushit.
Me këtë rezultat edhe ka përfunduar ky takim, ngase kuqezinjtë ishin të pafat gjatë pjesë së dytë, duke mos mundur t’i konkretizonin dhjetëra raste ideale për ta shënuar golin e fitores. Për gjilanasit ky ishte barazimi i katërt rresht.
Trepça – Ferronikeli 2:0
Trepça e ka shënuar fitoren e katërt në këtë sezon. Mitrovicasit e kanë shfrytëzuar mirë përparësinë e terrenit duke e mposhtur Ferronikelin me lojë, e mbi të gjitha me rezultat – 2:0.
Golat për ‘Xehetarët’ i kanë shënuar Isuf Sejdiu e Enis Zabërxha gjatë pjesës së dytë të takimit. Me këtë fitore Trepça është ngjitur në kuotën e 14 pikëve, shtatë më shumë sesa ekipi nga Drenasi.
Vëllaznimi – Besa 0:0
Përballja mes dy rivalëve të vjetër, Vëllaznimit e Besës ka përfunduar pa fitues. Në këtë takim nuk është shënuar asnjë gol, gjë që zhgënjeu shikuesit që ishin mbledhur për ta përcjell atë.
Por, duhet theksuar se kuqezinjtë pjesën më të madhe të lojës e kanë luajtur pa Zharën e përjashtuar me karton të kuq. Kështu, gjakovarët tani kanë 10 pikë, kurse Besa ka 6 sosh.
Tabela ND GD PI
1. Trepça ’89 7 9 17
2. Prishtina 8 6 16
3. Trepça 8 6 14
4. Drita 8 -4 13
5. Hajvalia 8 2 12
6. Hysi 8 3 10
7. Vëllaznimi 8 0 10
8. Ferronikeli 8 -5 7
9. Drenica 8 -2 7
10. Liria 7 -2 6
11. Kosova (V) 8 -8 6
12. Besa 8 -9 6