Hajvalia zbret 89-shin nga kreu

Kjo pasi mitrovicasit janë mposhtur të enjten në kryeqytet nga Hajvalia me rezultat minimal, 1:0 – në kuadër të xhiros së katërmbëdhjetë të kampionatit.
Tri pikë të reja dhe tepër të rëndësishme Hajvalisë ia ka siguruar Festim Krasniqi, i cili në minutën e 57-të, nga gjuajtja e lirë, e ka shënuar golin e vetëm dhe të fitores për ekipin e tij.
Në fakt, kjo ndeshje ishte goxha interesante, e cila u karakterizua me raste të shumta shënimi nga të dyja palët, por të tilla më shumë dhe më të mira pati Hajvalia, e cila ka mundur të fitoj më bindshëm, sikur Fillim Guraziu të shënonte në minutën e 43-të kur doli përball portierit mitrovicas, por gjuajtja e tij përfundoi në shtyllë.
Në këtë mënyrë, Trepça ’89 mbetet në kuotën e 27 pikëve, duke zbrit në vendin e dytë të renditjes tabelore me vetëm dy pikë më pak sesa Prishtina, e cila e morri vendin e parë pas fitores që e shënoi të mërkurën ndaj Lirisë. Kurse, Hajvalia tani është ngjitur në vendin e pestë të tabelës me 21 pikë.