E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakerat serbë sulmojnë faqen e Ministrisë së Financave

TIRANE- Hakerat serbë sulmonjë faqen zyrtare online të Ministrisë shqiptare të Financave.

Në faqen, kur më përpara jepeshin informacionet e fundit të aktiviteteve që kryente kjo ministri në orën 13. 05 minuta ishte një fushë e bardhë me një mbishkrim të hakerave serbë ku lexohet se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se faqja është hakeruar nga forcat e hakerave serbë.

Sulmi i hakerave serbë duket se është një kundërpërgjigje ndaj sulmit që hakerat kosovarë i kishin bërë faqes online të radio televizionit serb.

Webmasteri i BalkanWeb, Ersan Karameto, thotë se faqja e ministrisë është mbështetur në një script falas, versioni i së cilës nuk është përditësuar që nga fundi i vitit 2004, cka ka bërë më të lehtë sulmin e hakerave serbë.

Pak kohë më parë, hakerat serbë sulmuan faqen zyrtare të Presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Nën moton e kryeministrit “Shqipëria Digitale” hakerat serbë duket se nuk e kanë shumë të vështirë të sulmojnë faqet zyrtare të institucioneve shtetërore kryesore si ajo ministrisë së Financave apo dhe sulmi i faqes zyrtare të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi më 3 mars 2010. Sulmet e hakerave serbë dëshmojnë qartë domosdoshmërinë e reformës së mirëfilltë në fushën e informatikës ku faqe të rëndësishme të administrohen nga njerëz profesionistë.

Nga një vëzhgim i shpejtë i ekspertëve të programatorëve të faqeve online, website i Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, i Ministrisë së Punëve dhe e Çështjeve Sociale, i Ministrisë së Bujqësisë dhe i Ministrisë së Mjedisit janë ndërtuar me scripte falas, madje faqja e Ministrisë së Arsimit, përditësohet në mënyrë statike, një proçes mjaft i vjetër në kohë për fushën e informatikës.

Përkundrazi një kujdes të vecantë i është kushtuar faqeve kryesore të cilat kanë dhe impaktin e parë kryesor me botën jashtë. Të ndërtuara në mënyrë profesionale janë faqja e kryeministrisë e Ministrisë së Jashtme, e Ministrisë së Integrimit, e Ministrisë së Transportit, e Ministrisë së Kulturës dhe e Ministrisë së Shëndetit.

Më 12 maj Kryeministri vendosi dhe hapjen e katër fakulteteve për përgatitjen e specialistëve në fushën e Teknologjisë Informatike.
(Suela Gera/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›