INSTAT: Inflacioni në dhjetor 2.2 për qind
Shtrenjtohen çmimet e mallrave ushqimorë. Gjatë muajit dhjetor konsumatorët kanë shpenzuar më shumë para për të blerë mallra të konsumit të përditshëm. Gjatë dhjetorit rritje ka pësuar edhe çmimi i gazit dhe i druve. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave, inflacioni në muajin dhjetor arriti në 2.2 për qind, duke shënuar një rritje prej 0.9 për qind në krahasim me një muaj më parë.
Çmimet
Çdo vit me rastin e festave të fundvitit tregtarët nuk hezitojnë që të rrisin çmimet e mallrave ushqimorë. Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT-i, gjatë muajit dhjetor çmimet e grupit "Ushqime dhe pije joalkoolike" kanë pësuar një rritje prej 2.4 për qind. Në dhjetor çmimet e zarzavate dhe të frutave pësuan një rritje të ndjeshme. Gjithashtu në muajin dhjetor është rritur çmimi i shitjes edhe për pijet alkoolike. Në fakt gjatë dhjetorit me rastin e festave të fundvitit kërkesa e konsumatorëve është më e lartë se në çdo periudhë tjetër të vitit dhe këtë rast tregtarët nuk lenë pa e shfrytëzuar duke rritur çmimet e artikujve ushqimorë. Ndërkohë me uljen e temperaturave rritje ka pësuar edhe çmimi i gazit të lëngshëm dhe çmimi i druve. Edhe çmimet e veshjeve kanë pësuar rritje në muajin dhjetor. Ndërkohë sipas të dhënave nga INSTAT, indeksi i grupit "Transport" ka shënuar një ulje prej 2.9 për qind në dhjetor. Kjo, pasi çmimi i naftës shënoi një ulje prej 11.6 për qind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 12.4 për qind në muajin dhjetor. Rënia e çmimit të karburanteve ka ardhur pas uljes së çmimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare. Megjithatë krahasuar me uljen e çmimit të arit të zi në tregjet e huaja, çmimi i karburanteve në vend duhet të ishte edhe më i ulët.
Rritja e çmimeve
2.2 për qind inflacioni në dhjetor
0.9 për qind "Ushqime dhe pije jo alkoolike"
14.2 për qind "zarzavate përfshirë patatet"
7.5 për qind frutat
1.4 për qind mish
1.6 për qind pijet alkoolike
0.9 për qind këpucët për fëmijë
0.4 për qind gazi i lëngshëm
3 për qind drutë