Kartat e identitetit, nuk del jashtë shtetit nëse nuk aplikon brenda 1 shkurtit
BLEDAR HOTI
Nëse nuk aplikon brenda 1 shkurtit për kartën e re të identitetit, shtetasit shqiptarë do të privohen për të dalë jashtë shtetit, si dhe nga shërbime të tjera të domosdoshme. Në vendimin e nxjerrë dy ditë më parë nga qeveria, asnjë shtetas nuk do të lejohet të udhëtojë jashtë Shqipërisë, nëse më parë nuk ka aplikuar për marrjen e këtij dokumenti pranë bashkive dhe komunave. Vendimi i nxjerrë i ngjan periudhës para viteve '90, ku shqiptarët ndaloheshin për të kaluar kufirin shqiptar, duke u bllokuar nga klone. Nëse nuk realizohet procesi i pajisjes me karta identiteti, Shqipëria mund t'i ngjajë një "shtetrrethimi" ku shtetasit e saj do të privohen nga shërbimet kryesore. Sanksionet e çuditshme dhe ekstreme të qeverisë shkojnë akoma më tej. Marrja e pasaportës për jashtë shtetit do të bllokohet për ata shtetas që nuk kanë aplikuar për kartën e re të identitetit. Shërbimi tjetër që do të privohet është edhe ai në zyrat e Gjendjes Civile. Penalizime kanë edhe bizneset, ku përfaqësuesit e saj brenda 1 shkurtit duhet të aplikojnë, pasi bashkitë dhe komunat nuk do të lejojnë që të rinovojnë licencat e tyre. Në të njëjtën kohë qeveria ka vendosur që pas kësaj date nuk do t'u ofrohet asnjë shërbim shtetasve të saj për marrjen e patentave dhe në kryerjen e kolaudimeve.
Bllokimi në Gjykata
Gjithashtu vendimi përmban penalizime edhe për shërbimet e tjera që lidhen me sistemin e drejtësisë. "Lëshimi i vërtetimeve dhe dokumenteve të tjera të ngjashme me to, nga administrata gjyqësore; shërbimet noteriale; shpërndarja e karburantit pa akcizë për fermerët; shërbimi nga zyrat e Alba-Postës", thuhet në vendimin e qeverisë. Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk do të kryejnë aplikimin dhe pajisja me certifikatë pronësie për shtetasit që nuk zbatojnë afatin e vendosur nga ana e qeverisë. Vendimi i Këshillit të Ministrave i ka rekomanduar institucioneve të pavarura, Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike që të ndjekin të njëjtat procedura për shërbimet që ato ofrojnë, normojnë me afat deri në 15 prill-30 prill 2009. Zv.ministri Ferdinand Pone në konferencën për shtyp bëri të ditur se për transparencë dhe për të pajisur çdo shtetas me të paktën një dokument identifikimi, vendimi ka përcaktuar se Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u dërgon jo më vonë se data 31 janar 2008 të gjitha bashkive, komunave, njësive bashkiake, listën përkatëse të shtetasve me të drejtë vote që nuk janë të pajisur me pasaportë. Njësia përkatëse e bën listën publike dhe njofton shtetasit e kësaj liste për të aplikuar me përparësi për letërnjoftim.
Procedura
Të gjithë shtetasit, sipas Ponit, fillimisht duhet t'i drejtohen sportelit pranë filialeve të Postës shqiptare, për të kryer pagesën për të aplikuar për kartën e re të identitetit. Pagesa është 12 mijë lekë të vjetra. Shtetasi shqiptar duhet të marrë me vete faturën që vërteton se ka kryer pagesën dhe duhet të paraqitet pranë Zyrave të Gjendjes Civile në bashki, komuna dhe në njësitë bashkiake. Zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni deklaroi se janë 400 zyra pranë njësive të qeverisjes vendore, ku mund të përballojnë në mbi 15 mijë aplikime në ditë. Sipas tij, ekzistojnë kapacitetet e duhura për të përballur fluksin e madh të qytetarëve që do të gjenden pranë sporteleve të bashkive dhe komunave. Zv. ministri Pone bën të ditur se procesi i një karte zgjat dy javë dhe duhet të jetë vetë shtetasi që ta tërheqë atë, pasi duhet të verifikohen gjurmët e gishtave. Gjithashtu duhet të verifikohen paraprakisht dhe të dhënat nga shtetasi nëse ato janë të sakta.
penalizimet
Nëse nuk aplikon
Do bllokohen këto shërbime brenda 1 shkurtit 2009:
• pajisja me pasaportë për jashtë shtetit;
• shërbimin në zyrat e gjendjes civile;
• lëshim ose rinovim të lejeve, autorizimeve, licencave nga organet e pushtetit qendror/vendor;
• nuk do të lejohen të dalin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;
• aplikimi dhe pajisja me certifikatë pronësie nga ana e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
• aplikimin dhe lëshimin e dokumentit "Leje drejtimi automjeti" dhe kolaudimin e tyre;
• lëshimi i vërtetimeve dhe dokumenteve të tjera të ngjashme me to, nga administrata gjyqësore;
• shërbimet noteriale;
• shpërndarja e karburantit pa akcizë për fermerët;
• shërbimi nga zyrat e Alba-Postës;
Procedurat e aplikimit
Pagesa prej 1200 lekësh në Zyrat (filialet) e Postës Shqiptare në të gjithë Shqipërinë.
Pas pagesës merr kuponin me vete dhe dorëzon në zyrat e aplikimit që ndodhen pranë bashkive, komunave apo njësive bashkiake
Konsultohet me zyrat e regjistrave civilë nëse të dhënat janë të sakta ose jo
Aty plotëson formularin e posaçëm dhe bën fotografinë dhe marrjen e shenjave të gishtave, retinën e syrit dhe firmos formularin.
Pas dy javëve kthehet pranë zyrës civile për të tërhequr kartën e identitetit.
Kartat, kushti i KE-së
Kartat e identitetit kanë qenë një nga kushtet kryesore e Komisionit Evropian ndaj qeverisë shqiptare për procesin e anëtarësimit në BE. Në vitin 2003 pati një përpjekje për të realizuar procesin me pajisjen me karta identiteti, por nuk u realizua, duke bërë që ai proces të dështojë. Ndërsa aktualisht po tentohet që ky proces të realizohet pikërisht në vitin 2009, përpara mbylljes së procesit të ratifikimit të MSA-së nga vendet anëtarë, ku çështja ka ngecur në Greqi. Shqipëria synon të paraqesë kërkesën zyrtare të statusit të kandidatit në BE pas mbylljes së ratifikimit. Zyrtarët e BE-së kanë theksuar me forcë se zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk duhet të realizohen me certifikatë, por me kartat e reja të identitetit. Kjo ka nxitur që PD dhe PS të miratojnë një proces konsensual, i materializuar me miratimin e ligjit në Kuvend.
1 shkurt
Qeveria ka vendosur afatin 1 shkurt për pezullimin e një sërë shërbimesh ndaj atyre qytetarëve që nuk kryejnë procedurën e pajisjes me kartën e identitetit. Vendimi më absurd është edhe ndalimi për të ikur jashtë shtetit
400 zyra
Në gjithë Shqipërinë do të jenë 400 zyra të veçanta që do të realizojnë procesin e marrjes së shenjave të gishtave, të retinës dhe të të dhënave të tjera. Shtetasit shqiptarë duhet të paguajnë një shumë prej 1200 lekësh për të marrë këtë kartë
Qeveria iu heq pagesën pensionistëve
BLEDAR HOTI
Për të realizuar zgjedhje me kartat e reja të identitetit, qeveria nuk kursen të penalizojë as pensionistët dhe as ato shtetas që marrin ndihmë ekonomike. Vendimi më i fundit i qeverisë ka vënë sanksione financiare për këto dy shtresa, nëse nuk pajisjen me dokumentet e reja të identifikimit. Pensionistët që nuk do të aplikojnë brenda 25 marsit për dokumentet e reja të identifikimit, nuk do të kenë të drejtën e marrjes së pagesës apo së shpërblimit nga ana e shtetit shqiptar. Ky është kushti penalizues që qeveria ka vendosur ndaj personave që nuk gëzojnë të ardhura të larta vjetore, ku pensioni minimal në fshat është 50 mijë lekë të vjetra, ndërsa në qytet, minimali nis nga 100 mijë lekë të vjetra. Qeveria ka vendosur që asnjë person nuk do të marrë pensionin e tij, nëse më parë nuk ka aplikuar për dokumentet e letërnjoftimit. Shtresa tjetër më e varfër, që ndihmohet nga shtetit me asistencë sociale dhe përkrahje kanë afat më të vonë. "Pagesa për ndihmë, përkrahje sociale apo çdo lloj ndihme tjetër, ofruar nga institucionet publike, qendrore dhe vendore, nuk do të jepet nëse nuk kanë aplikuar deri më 30 prill 2009", thekson vendimi. Ndërsa ndëshkimi për punonjësit e administratës shtetërore, Qeveria e ka vendosur afatin e fundit të aplikimit 43 ditëve. "Për 104 mijë punonjësit që nuk aplikojnë nuk përfitojnë nga shteti pagesa ose shpërblime për të gjithë personat fizike të punësuar në administratën dhe institucionet publike, si dhe personat e punësuar në shoqëri, agjenci apo ente shtetërore, qendrore apo vendore, nëse nuk kanë aplikuar deri më 25 shkurt 2009", thuhet në vendimin e Ministrisë së Brendshme.
Penalizimi për studentët
Ndërsa penalizimet qeveria i ka shtrirë edhe te shtresa e studentëve. Asnjë prej tyre nuk do të merret në provim nëse nuk kanë aplikuar për dokumentet e reja të identifikimit. Sipas vendimit, këto studentë nuk do të lejohen të futen në provimet e sezonit. "Nuk do të pranohen personat që nuk aplikojnë në provimet e fundvitit dhe regjistrimin në vitin shkollor/akademik pasardhës për të gjithë ata që ndjekin studimet në shkollat e mesme dhe të larta, pjesëmarrësit në konkurse apo gara të ndryshme të organizuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nëse nuk kanë aplikuar deri më 30 mars 2009", thuhet në vendimin e qeverisë. Të gjitha institucionet shtetërore, qendrore apo vendore, sipas Ministrisë së Brendshme duhet të marrin masa që pagesa për aplikimin për letërnjoftim për punonjësit e tyre të kryhet brenda institucioneve përkatëse. Ministria e Brendshme po merr të gjitha masat për zbatimin e këtij vendimi të rëndësishëm nga të gjitha institucionet publike dhe të gjithë shtetasit. Ndërsa për herë të parë qeveria ka falënderuar njësitë bashkiake për këtë proces, ku pjesë më e madhe drejtohet nga ana e përfaqësuesve të opozitës. "Ne përfitojmë nga rasti për të përshëndetur bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur me njësitë vendore të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë dhe kërkojmë vëmendjen maksimale të tyre edhe gjatë aplikimit të shtetasve", deklaroi zv.ministri Pone.
Afati për pensionistët
Qeveria në vendimin e saj ka përcaktuar që afati maksimal që pensionistët të aplikojnë duhet të jetë 25 marsi. Nëse nuk realizohet një gjë e tillë, atëherë nuk do të marrin pensionin e tyre. Sanksione janë vendosur edhe për ata persona që marrin ndihmë ekonomike apo përkrahje nga shtetit. Nëse nuk kanë aplikuar deri më 30 prill 2009, pagesa për ndihmë, përkrahje sociale apo çdo lloj ndihme tjetër, ofruar nga institucionet qendrore dhe vendore nuk u jepet. Edhe studentët nuk do të hyjnë në provimet e fundvitit, nëse nuk aplikojnë brenda 30 marsit.
Berisha merr kompetencat e Topit
Vendimi i qeverisë shpall edhe se kur të do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke ia marrë këtë kompetencë kushtetuese Presidentit të vendit, Bamir Topi. Në këtë vendim theksohet ndër të tjera se "pajisen me dokumente identifikimi shtetasit, të cilët janë të detyruar të pajisen me letërnjoftim dhe që mbushin moshën 18 vjeç, më 28 qershor 2009". Në bazë Kodit të ri Zgjedhor, presidenti duhet të shpallë datën e zgjedhjeve më 21 ose në 28 qershor. Ndërmjet këtyre datave, qeveria ka preferuar t'i diktojë Topit ende pa firmosur dekretin.
Vasili: Varfëria pengon në pajisjen me karta
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, i kërkoi dje qeverisë të pajisë pa pagesë me karta identiteti disa kategori sociale të prekura më shumë nga situata e rëndë ekonomike. "LSI është e shqetësuar se; për arsye të varfërisë se skajshme, varfëri e cila është thelluar në mënyrë të frikshme në vitet e qeverisjes së Berishës për mjaft qytetarë shqiptarë, pajisja me to do të jetë e pamundur. Për të kapërcyer këtë problem shumë të rëndësishëm në momentin dhe në kohën e duhur, i kërkojmë Qeverisë që në mënyrë të menjëhershme të marrë masa dhe të pajisë pa pagesë kategoritë e mëposhtme të qytetarëve; pensionistët në fshat dhe qytet, studentët dhe nxënësit, personat që marrin pagesë papunësie, personat anëtarë të familjeve që marrin ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre, personat me pagë minimale në sektorin publik dhe privat", u shpreh Vasili. Sipas tij, kjo kategori rrezikon seriozisht mospjesëmarrjen në zgjedhje. "Qeveria duhet të zgjidhë në mënyrë të menjëhershme këtë problem për këtë kategori qytetarësh, sepse përndryshe rrezikohet që rreth 1 milion qytetarë të mos marrin pjesë, pra të përjashtohen nga procesi i votimit", u shpreh Vasili.
“Konfuzion me kartat e identitetit”
Sekretari socialist për Çështjet Elektorale, Kastriot Islami, tha dje se qeveria duhet të kishte subvencionuar pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. "Qeveria duhet të kishte bërë subvencionimin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Bëhet fjalë për një shumë prej 10-15 milionë euro, që për buxhetin e shtetit nuk është ndonjë kosto shumë e madhe, në një kohë që ne kërkojmë të integrohemi në familjen evropiane dhe duam të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme", tha Islami. Sipas tij, kërkohet një skemë e qartë që kërkohet të bëhet publike se si duhet të veprojnë qytetarët për pajisjen me karta. "Qytetari nuk e ka të qartë se ku do të paraqitet radhën e parë, ku do të paraqitet radhën e dytë dhe ku do të paraqitet radhën e tretë dhe për më tepër qytetari nuk e di që, meqenëse prodhohen 15 mijë karta në 400 njësi vendore, i bie që çdo njësi të prodhojë rreth 40 karta në ditë. Pra kërkohet të ketë një kalendar shumë të qartë veprimi", tha Islami.