E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmarret BajerniInteri humb në minutëne fundit

TIRANE-Bajerni i Mynihut është hakmarrë në mënyrën më të mirë ndaj Interit, duke fituar 1-0 në "San Siro", në atë që konsiderohej si përsëritja e finales së sezonit të shkuar në "Bernabeu". Një gol i Mario Gomez në minutën e 90-të, pas një gabimi të portierit Zhulio Sezar, i ka dhënë triumfin ekipit bavarez, në një ndeshje nervash dhe që përgjithësisht është dominuar nga gjermanët. Vetëm me Samuel Eto në sulm, Interi e ka patur të pamundur të gjejë rrugën e fitores, ndonëse rastet i ka patur. Zikaltërit nuk janë shfaqur skuadra e sezonit të shkuar, kur fitonin 2-0 në Madrid. Ndonëse protagonistët ishin të njëjtë, ndeshja është interpretuar në një tjetër mënyrë. Sidomos në pjesën e dytë, Interi u duk në disa momente i kënaqur me barazimin pa gola, ç'ka duket se u dha më shumë zemër bavarezëve. Humbja e zikaltërve ishte e treta për skuadrat italiane në Champions League, të cilat tashmë janë me një këmbë jashtë turneut. Pas Milanit dhe Romës, edhe Interi del me humbja nga fusha e tij, që mund të përkthehet si një dështim për Serinë A. Stili i Luis Van Gal këtë herë ka triumfuar përballë prakticizmit të zikaltërve, që nuk kanë shfaqur lojën e tyre të zakonshme.
Ndeshja
Takimi i mbrëmshëm nisi me Bajernin që kishte fjalën e parë, ndërsa Roben e Riberi kanë qenë shqetësimi i përhershëm i mbrojtësve zikaltër. Por, rastin e parë të artë e ka patur Interi, me anë të Samuel Eto, që pasi "deh" dy mbrojtës në zonë, godet me të majtën, por ndalet nga portieri i ri Kraft. Bajerni ka tentuar me një goditje të Luis Gustavos nga larg, që për pak përfundoi në rrjetë, si edhe me një goditje me kokë të Mario Gomez, që u përplas në traversë. Interi ishte sërish i rrezikshëm në minutat e fundit, por i paqartë përpara portës. Pjesa e dytë nisi me një gabim të Ranokias, por mbrojtësi i Interit arriti ta shlyente në çast gabimin, duke ndalur Mario Gomez. Më pas, është Roben që jep një krosim të bukur për Tomas Myler, por goditja e këtij të fundit përfundon jashtë. Interi ndërkohë pati mundësinë më të mirë me anë të Kambiasos, pas një goditje të Eto që u grushtua nga Kraft. Edhe pse vetëm 5 metra larg portës, argjentinasi goditi mbi tra. Në minutat e fundit, zikaltërit e zhvendosën lojën në zonën e Bajernit, duke marrë disa goditje standarte radhazi. Karzha rrezikoi seriozisht portën e Bajernit me një pasim drejt zonës nga krahu i djathtë, ndërkohë që pas një goditje këndi, Tiago Mota rrezikoi të shënonte, por u ndal nga Kraft me një hedhje spektakolare. Kur pritej që ndeshja të përfundonte në barazim, Roben godet në mënyrë të rrezikshme nga larg dhe topi i grushtuar keq nga Zhulio Sezar, shtyhet në rrjetë nga Mario Gomez. Një gol që ka vlerën e hakmarrjes për gjermanët.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›