“Hakmarrja” e Lëvit: Kuranji, jashtë Botërorit
Ditë të hidhura për Kevin Kuranyi: të shtunën e kaluar humbi me Shalke 04 titullin kampion, të hënën mori lajmin se nuk ishte listën e Botërorit. Ëndrra për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror 2010 për Kevin Kuranji mori fund. Trajneri i Kombëtares gjermane, Johakim Lëv, vendosi të mos i japë asnjë shans sulmuesit të Shalke 04. Ishte vetë Lëv ai që i telefonoi “gjahtarit” për vendimin e tij. Në fakt, Kuranyi ishte lojtari që e mbajti Shalke 04 në lojën për titull në Bundesligën 1 (të fituar nga Bajerni), por trajneri i “Nationalmanchaft” nuk e mori parasysh këtë gjë, pavarësisht se ai kishte deklaruar më parë: “Thyerja e disiplinës në tetor të vitit 2008, nuk ka asnjë rol për mua. Nuk do të ishte asnjë problem për mua, që t’i jepja atij një mundësi të re për ta thirrur në Kombëtare”. Gjatë ndeshjes kualifikuese kundër Rusisë (2-1) në tetor të vitit 2008 kishte lënë stadiumin e Dortmundit para mbarimit të ndeshjes, pasi trajneri nuk i dha asnjë mundësi aktivizimi. Kjo ndikoi në mos thirrjen e Kuranji në të ardhmen, pavarësisht se sulmuesi i Shalke 04 bëri një sezon të fortë. “Duke diskutuar të gjitha detajet në ekipin tonë të trajnerëve, taktikisht ne kemi të tjera skema për të aplikuar”, - tha Lëv, duke ia mbyllur përfundimisht derën sulmuesit. Kuranyi tha përmes faqes së tij në internet se ai ndihej shumë i zhgënjyer me vendimin. “Si çdo futbollist edh unë ëndërrova si një fëmijë i vogël për të pasur mundësinë për të luajtur në këtë Kampionat Botëror. Kjo ëndërr për të dytën herë u shua. Është e qartë, se për mua vendimi më ka lënë shumë të trishtuar”. Trajneri i Shalke, Feliks Magat, u tregua më pak i befasuar për përjashtimin e lojtarit të tij nga Kampionati Botëror: “Ishte e qartë, se Këv do të vendoste kështu. Pas javës së 30-të (në Bundesligë) kemi diskutuar bashkë, që të merrte Kuranji, por çdo trajner vendos se si duhet t’i marrë vetë vendimet. Për këtë unë nuk e gjykoj aspak vendimin e Lëvit. Çdokush duhet ta pranojë atë”. Të ënjten e ardhshme Lëv duhet të emërojë edhe listën përfundimtare të 23 lojtarëve që duhet të marrë në Afrikën e Jugut.
Sondazhi
65 për qind e tifozëve që i janë përgjigjur një ankete të organizuar nga gazeta gjermane “Bild”, besojnë se Bajerni ka mundësi të fitojë të famshmen “triple”: fitimin e kampionatit gjerman, Kupës së Gjermanisë dhe Ligën e Kampioneve, ku rekordmenët bavarezë do të përballen me Interin. Skuadra italiane është gjithashtu drejt rrugës së fitimit të trofeve: kampionatin italian, Kupën e Italisë (në finale me Romën) dhe Ligën e Kampioneve.
4 Maj 2010