Lacio-Inter shndërrohet në çështje politike në Itali
Humbja e Lacios kundër Interit, me tifozët romanë që kanë inkurajuar kundërshtarët e Interit, duke festuar në rastet e dy golave të shënuar nga skuadra e Hoze Murinjos, është shndërruar në çështje politike. Ngjarja ka provokuar edhe reagimet e dy grupimeve të mëdha politike në Itali. “Dje (të dielën) u shkrua një faqe turpi. Interi mund të fitojë titullin, por nga ajo që u pa në ‘Olimpiko’, do të jetë një titull i ngjashëm me atë që mori me telefonatat e Faketit ndaj arbitrave”, - theksoi presidenti i senatorëve të Pdl-së së Silvio Berluskonit, Mauricio Gaspari, i njohur si një tifoz i Romës. “Ajo që ndodhi dje në Romë, në ‘Olimpiko’, është një spot i vërtetë kundër futbollit, kundër sportit, kundër principeve të frymës sportive, të cilat që të gjitha janë shkelur”, - tha zëdhënësi i Pdl, Daniele Kapecone. “Drejtuesit, teknikët dhe lojtarët e Lacios, - nënvizoi ai, - duhet të japin shpjegime bindëse për atë që ndodhi. E dhimbshme ishte dhe sjellja e publikut. Për vite të tëra, kishim thënë se publiku është llogorja e fundit e pasionit dhe dashurisë për sportin, por tani duhet të marrim në konsideratë aktin e një farse të vërtetë që pa edhe një stadium i tërësisht i përfshirë në faj dhe që dha pëlqimin e tij”. "Një spektakël trishtues ai i djeshmi. Është një kampionat plotësisht i falsifikuar”, - tha presidenti i deputetëve të Pdl-së, Fabricio Cikito. “Dje (të dielën) në mbrëmje asistuam në një humbje të vërtetë të sportit, një njollë turpi në futbollin tonë”, - tha shkurt Marko Martineli, zëvëndëspërgjegjës për organizmin e Pdl-së. Jashtë korit është Roberto Zakaria, deputeti i PD-së në Itali, një tifoz i deklaruar i zikaltërve: “Në fushë nuk pashë ndonjë qëndrim antisportiv dhe lojtarët bënë detyrën që duhet të bënin. Përsa i përket sjelljes s së tifozëve lacialë mendoj se është rrjedhojë e asaj që ndodhi në derbin e fundit (kundër Romës”.
DEKLARIMET E PRESIDENTËVE
Inter
Morati: “Asnjë arsye për të pasur turp”
“Duhet të them se është një problem midis Romës e Lacios, nuk është një problem në lidhje me Interin”. Presidenti i Interit, Masimo Morati, komentoi kështu takimin Lacio-Inter, të ditës së diel. “Të turpërohemi? Nuk e di se për çfarë. Respektoj ndjeshmërinë e saj (presidentes së Romës, Rosela Sensi) dhe preferoj të mos i përgjigjem. Kam vuajtur deri në fund të ndeshjes. Për më tepër që publiku ishte absolutisht për ne dhe kjo ishte një situatë shumë e çuditshme. Megjithatë, kampionati nuk është mbyllur akoma”.
Roma
Sensi: “Inter, do të më vinte turp!”
Presidentja e Romës, Rosella Sensi, lëshoi akuza të ashpra pas fitores së Inter me Lazio në “Olimpico: “Inter, mua do të më vinte turp të fitoja kështu. Ishte një marrëveshje midis drejtuesve. Prokuroria Federale të hapë një dosje. A mund të jetë kështu kampionati më i bukur në botë?" Drejtuesi i lartë verdhekuq, Bruno Conti, ironik: “Lazio-Inter, një ndeshje e emocioneve të forta. Roma është e madhe për tifozët e mëdhenj, në Parma në dëshmuam karakter dhe kompaktësi”.
Inter: “Murinjo nuk do të largohet”
Edhe pse mediat sportive kanë deklaruar shpesh se Hoze Murinjo do të largohet në fund të kampionatit, për drejtuesit Interit ai do të vazhdojë të mbetet zikaltër për sezonin e ardhshëm. Lajmin e konfirmoi drejtori teknik i Interit, Mario Branka, menjëherë pas fitores së zikaltërve kundër Lacios (0-2), në ndeshjen përmbyllëse të javës së 36-të të Serie A. “Janë gazetarët që e shkruajnë këtë. Ne jemi shumë të kënaqur nga Murinjo. Është e pa mendueshme që ai të jetë larg Interit”, - tha drejtuesi zikaltër për gazetën italiane “Republika”. I mbërritur te Interi në qershor të vitit 2008, “Special One” është nën kontratë deri në vitin 2012 me klubin lombard.
Samuel: “Tani të mundim Romën në kupë”
Valter Samuel, autori i golit të parë të Inter kundër Lazio, një gol i realizuar në ndeshjen e tij të 100-të me fanellën zikaltër, tha pas ndeshjes: “Uesli më dha një top të bukur dhe bëra golin. E rëndësishme ishte të fitonim dhe e bëmë. Jemi shumë të kënaqur. Mungojnë edhe dy ndeshje, duhet të ecim përpara kështu, nuk duhet të lëshojmë. Sezoni më i mirë i imi? Nuk e di, ajo që di është se ndihem mirë. Të mërkurën do të jetë një ndeshje e vështirë në Kupën e Italisë, pasi Roma është mirë dhe nuk tërhiqet, por ne do të bëjmë gjithçka për të fituar këtë trofe të parë që kemi në dispozicion”.
4 Maj 2010