E Diel, 1 Nëntor 2026

Një trio vjeneze emocione në Akademinë e Arteve



Izaura Ndoj

Sezoni ndërkombëtar “Klasik” sjell tingujt e veçantë të muzikës në dy koncerte më disa nga veprat më të mira të autorëve me famë botërore, enkas për publikun shqiptar nga trioja vjeneze “Altenberg trio wien”. Kështu, në datat 6 Maj në Tiranë dhe më pas në datën 9 maj në qytetin e Durrësit këta artistë do të performojnë vepra të kompozitorëve të njohur si, nga Joseph Haydn Trio d-moll op. 71 Nr.3 Hob. XV:23, vepra nga Antonin Dvorak Klaviertrio g-moll op. 26, vepra nga Robert Schumann Klaviertrio Nr.1 d-moll op. 63, e kështu me radhë. Ndërkohë që duhet theksuar gjithashtu se këto dy koncerte në Tiranë e Durrës vijnë në kuadër të aktiviteteve të shumta artistike e kulturore që organizon aktiviteti traditë që zhvillohet prej disa vitesh ne vendin tonë e që njihet me emrin sezoni ndërkombëtar “Klasik”. Trioja e mirënjohur “Altenberg trio ëien” është fituese e mjaft çmimeve të rëndësishme ndërkombëtare dhe këta artistë vijnë për herë të parë në Shqipëri për të përcjellë në këtë mënyrë, tingujt e mrekullueshëm të muzikës, që mbajnë firmën e autorëve të njohur botërorë. Koncertet do të zhvillohen falë një bashkëpunimi midis “Mozaik Festival”, Ambasadës Austriake në Tiranë Akademisë së Arteve, shkollës së mesme artistike "Jan Kukuzeli" Durrës etj. Sezoni ndërkombëtar i koncerteve “Klasik” në vijim do të ofrojë për publikun e kryeqytetit si dhe të qendrave të mirënjohura të kulturës shqiptare, si Shkodra, Korça, Elbasani, Durrësi e Fieri një larmi koncertesh me artistë pjesëmarrës që do të vijnë nga vende të ndryshme të botës si Italia, Gjermania, Franca, Zvicra, Kroacia etj. Disa nga autorët më të mëdhenj klasikë Mozart, Schubert, Grieg, Haydn, Shostakovich, Cassado etj, do të vijnë të interpretuara nga muzikantë europianë, përmes dy shoqatave kulturore shqiptare, “Syri Blu” dhe “Miqtë e Muzikës”, që drejtojnë sezonin ndërkombëtar koncertor “Klasik”. Që nga debutimi “zyrtar” gjatë javës së Mozartit në Salzburg (janar 1994), “Altenberg trio wien” një nga triot e pakta me një aktivitet kaq të ngjeshur muzikor në botën e muzikës së dhomës, në më shumë se 1000 ekzekutime ka fituar reputacionin e njërit prej ansambleve më të guximshëm e më të qëndrueshëm të kategorisë, pasi repertori i tyre përfshin përveç një numri të gjerë të veprave nga fusha e tyre direkt (piano kuartete e kuintete, duo, tripël koncerte, muzikë dhome vokale) përafërsisht edhe 300 trio me piano, shumë prej të cilave i ka porositur dhe u ka realizuar ekzekutimin e tyre te parë.
Krijimtaria e “Altenberg trio wien”
Me fitoren e Robert Schumann Award (Çmimi Robert Schumann) të Qytetit të Zwickau në 1999, “Trio Altenberg” ngadhënjeu në vazhdimin e traditës austriake të këtij çmimi (fitues i 1997: Nikolaus Harnoncourt, fitues i 2002: Alfred Brendel); arsyeja imediate e suksesit ishte regjistrimi i të gjithë triove me Piano të Schumannit, të cilat sapo ishin publikuar. Regjistrimi i mëvonshëm i “Altenberg Trio” (Ives/Copland/Bernstein) në prill të vitit 2000 fitoi “Edison Award” në Amsterdam. CD-së së vitit 2008 me triot me piano tëkompozitorëve Polakë Artur Malawski dhe Krzystof Meyer iu dha “Pastiçio Prize” nga O1, e cila është radio Austriake e muzikës klasike. Ciklet e viteve të fundit të “Altenberg Trio” në Musikverein janë dalluar në mënyrë të veçantë. Në 2008-‘09 dhe 2009-‘10, me rastin e 20 vjetorit të cikleve të triove në Wiener Musikverein, ansambli prezantoi një shumëllojshmëri veprash për trio me piano prej këtyre dy dekadave, duke ia shtuar ato veprave të Joseph Haydn dhe Antonin Dvorak. Cikli 2010-‘11 do të fokusojë Parisin dhe mrekullinë e “Ars gallica”. Një koncert festival me rastin e 125 vjetorit të lindjes së nxënësit të Schonberg-ut, Egon Wellesz, i cili është edhe ura më e rëndësishme njerëzore midis botëve muzikore të Parisit dhe Vjenës, do të shërbejë si hapje e këtij turneu në Francë.

4 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›