E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmarrja e natyrës së dhunuar

Nikollaq Neranxi 

Janë bërë të shpeshta lajmet për dukuri, të cilat gabimisht quhen fatkeqësi natyrore: në Luz të Kavajës rrëshqet toka dhe vidhiset një lagje e tërë e fshatit. Dëmi llogaritet në gjashtëdhjetë milionë lekë. Rrëshqitje dhe vidhisje të tokës së qendrave të banuara rurale janë bërë të ditura edhe në Gramsh, Berat, Librazhd e malësitë e Mokrës. Përmbytjet e fshatrave dhe tokave bujqësore në zonën e ulët bregdetare pas shirave, pavarësisht nga pasojat që sjellin, janë ngjarje të zakonshme. Tokat e përfituara nga bonifikimet po moçalizohen dhe po kripëzohen duke u kthyer në të pafrytshme e tërësisht në origjinë. Urat e lumenjve, rrezikojnë të shemben nga shfrytëzimi pa kriter i inerteve. Pyjet për çdo vit vazhdojnë të jenë pre e zjarreve, nga pakujdesia apo të vënë qëllimisht për përfitimin e kullotave dhe trojeve. Ndotja po merr përmasa të frikshme. Nga derdhja në det e ujërave të zeza të komplekseve hoteliere janë shtuar alget dhe bimësi tjetër e padobishme detare, në ujërat e brendshme gjuhet barbarisht me dinamit e korrent dhe shfaroset ihtiofauna, dhe si të mos mjaftonin gjithë këto, ndotet dhe helmohet liqeni artificial i parkut të Tiranës. Pa përmendur gjithë gjërat e mbrapshta që ndodhin me mjedisin tonë, është rasti të themi se gjithçka ndodh, nuk është fatkeqësi natyrore, por njerëzore, është hakmarrja e natyrës së dhunuar. Paaftësi, papërgjegjshmëri apo verbëri e qeverisë dhe ministrisë së saj përgjegjëse për mjedisin, sido që ta quajmë, e vërteta është se natyra nuk i duron boshllëqet, ajo ka vendosur ekuilibra, për të cilët janë dashur shekuj. Kur këta ekuilibra prishen si rezultat i veprimeve makute, të papërgjegjshme dhe etjes për fitime të lehta e të shpejta, nga kjo pasuri e përbashkët, që kanë pjesë edhe ata që ende s’kanë lindur, vijnë edhe pasojat, të cilat i vuajmë të gjithë ne dhe brezat që do të vijnë. Gjithçka u tha ka shkaqet e veta. Shkarjet e tokës, rrëshqitjet, vidhisjet dhe gërryerja sipërfaqësore, erozioni, e kanë burimin në prerjen e bimësisë pyjore, e shkurreve apo drurëve të lartë në kurorën e fshatrave. Kur sistemi i tyre rrënjor i fuqishëm, që si një rrjetë nëntokësore lidh dhe mban të karfosur tokën, del jashtë funksioni, si rezultat i ujërave të reshjeve, nisin shkarjet. Njerëzit japin alarmin dhe kërkojnë ndihmë. Është një e drejtë e tyre, por ata duhet ta dinë se vuajnë nga një e keqe që ia kanë bërë vetes. Si të ishin mall pa zot, pyjet priten barbarisht, digjen e shkrumbohen. Klima bëhet më e nxehtë dhe reshjet verore për vit e më të pakta. Miliona tonë tokë që gërryhet, në formën e aluvioneve derdhet në det. Për çdo vit toka pakësohet me qindra hektar dhe varfërohet. Për vit bëhet më keq. Jo për faj të reshjeve, e kam thënë edhe në një shkrim tjetër, ato janë bekim dhe jo mallkim, por për shkak të mungesës së masave mbrojtëse dhe disiplinimit të rrjedhjes së ujërave të larta. Nga mospastrimi dhe mbajtja në nivelet e projektimit të sistemeve kulluese të trashëguara, në Vurg e Mursi të Sarandës, Akërni të Vlorës, Tërbuf të Lushnjës, në Zadrimë e Nënshkodër, Maliq të Korçës etj., tokat janë rimoçalizuar e kripëzuar. Janë mijëra hektarë tokë që kanë dalë jashtë përdorimi si toka bujqësore. Ndërkohë ne kemi luksin të shtrëngojmë rripin e të durojmë varfërinë dhe të importojmë produktet ushqimore që mund të prodhoheshin në këto toka. Ka lajme se janë shfaqur rastet e para me malarie. E thamë se natyra nuk le boshllëqe, por edhe hakmerret kur dhunohet. Mushkonja e ka vendin në moçale. Është një e keqe nga e cila kishim shpëtuar prej kohësh, por rimoçalizimi e bën atë sërish të mundshme. Si të mos mjaftonin ato që kemi, na shtohet edhe një kërcënim tjetër. Shtretërit e lumenjve, lëndët e tyre inerte janë kthyer në miniera ari për spekulantët. Janë dashur shekuj që depozitimet e vendosura të krijonin shtratin dhe drejtimin optimal të rrjedhjes së ujërave, por askush nuk do të dijë për këtë. Ditë e natë ekskavatorët gërryejnë shtresën e rërës dhe zhavorrit pranë urave apo vaheve ku e kanë më të lehtë. Dhe hakmarrja e natyrës nuk vonon, nga shmangia e rrjedhjes dhe gërryerjes së shtratit, rrezikohen të shkulen nga themeli urat, ujërat vërshojnë nga brigjet dhe përmbytin fushat. Është evident rreziku i ndërrimit të shtretërve. Lumenjtë si Vjosa, Semani, Shkumbini, Drini mund të devijojnë rrjedhjen në shtretër e vjetër që njihen si “Lum’ i vdekur”. Në këtë rast dëmi dhe pasojat do të ishin me përmasa të papara. Ndaj këtyre veprimeve qeveria bën sikur shqetësohet, merr vendime, vë detyra, jep konferenca dhe lëshon rrufe e bubullima se gjasme do të bëhet nami, por erozioni i korrupsionit është më i fortë. Nofullat e hekurta të ekskavatorëve bëjnë punën e tyre, gërryejnë e gërryejnë pa pushim. Tashmë e kanë më të lehtë, pasi politika është e përfshirë nga ethet elektorale. Por është mirë të dëgjojmë kambanat e alarmit, të cilat duhet të bien gjithnjë e më fort. Jemi shumë të vonuar. Kujdes: po sharrojmë degën mbi të cilën jemi ulur dhe toka po na rrëshqet nën këmbë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›