E Diel, 1 Nëntor 2026

Hakmarrja, eksploziv në barin tek ish-ekspozita

Një sasi eksplozivi shpërtheu dje në orët e para të mëngjesit në një lokal pranë ish-ekspozitës në Tiranë. Policia dyshon se sasia e lëndës plasëse ka qenë të paktën 100 gramë.

Dashamir Biçaku

 Shpërthimi shkatërroi derën prej xhami të lokalit si dhe dëmtoi të gjitha pajisjet që ndodheshin aty. Dyshimet e policisë janë fokusuar mbi konflikte të mundshme të pjesëtarëve të familjes së pronarit të lokalit me palë të tjera. Pronare e lokalit, sipas policisë, figuron Flutura Deliu, banuese në Tiranë. Policia dyshon se djali i saj, E.D., aktualisht i arrestuar, mund të jetë përfshirë në konflikte për motive ende të panjohura me persona të tjerë. Ngjarja ka ndodhur në orën 04:15 të mëngjesit të djeshëm në pjesën e pasme të godinës së ish-ekspozitës, në lokalin që ndodhet në katin e parë të një pallati. Lokali i dëmtuar kishte së paku tre muaj që kishte nisur aktivitetin si bar, në administrim të Flutura Deliut. Shpërthimi i mëngjesit të djeshëm ka zgjuar banorët e zonës mes rrugës "Myslym Shyri" dhe unazës. Policia nuk e ka pasur shumë të vështirë të mbërrijë në vendin e ngjarjes, pasi lokali ndodhet vetëm 50 metra larg në vijë ajrore në perëndim të Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit. Në pak minuta vendi i krimit është mbushur me dhjetëra policë, të cilët kanë rrethuar vendin e ngjarjes, ndërsa kanë nisur të patrullojnë të gjithë zonën si dhe kanë ngritur postblloqe të lëvizshme. Pasi janë siguruar mirë se nuk mund të kishte shpërthim tjetër, efektivët e policisë kanë hyrë në lokal dhe kanë vënë re se lënda plasëse ka shpërthyer pranë derës kryesore të lokalit. Lloji i eksplozivit, sipas burimeve të policisë, nuk është përcaktuar ende nga ekspertët, të cilët pohojnë paraprakisht dyshimet se lënda mund të jetë e llojit tritol, ose një përzierje artizanale me nitrat e naftë. Gjithsesi ekspertët kanë kryer kqyrjet dhe matjet në vendin e ngjarjes dhe më pas kanë kryer edhe përllogaritjet e tyre për të përcaktuar llojin dhe sasinë e lëndës së përdorur.
Hetimi
Deri dje vonë policia ka qëndruar te lokali për të parë veprime të dyshimta të ndonjë personi të mundshëm. Personeli i lokalit dhe të zotët e tij, deri dje në mesditë kanë vazhduar të pastrojnë mbetjet e shpërthimit. Edhe pse policia ka pohuar se shpërthimi ka ndodhur për shkak të një lënde plasëse të hedhur aty, njerëzit që pastronin dje në lokal kundërshtonin këtë version të policisë. "Është aksidentale. Ka shpërthyer gazi", thotë një djalë rreth 24 vjeç, edhe pse në banak apo përreth nuk duken shenja djegieje. Ndërsa ekspertët e Policisë Kriminale dhe specialistët e eksplozivëve, të instaluar pranë repartit të RENEA-s, janë marrë me analizimin e llojit të eksplozivit në lokal, oficerët e departamentit të krimeve kanë nisur punën për zbardhjen e ngjarjes. Këta të fundit kanë mundur të gjejnë pronarët e lokalit, të cilët i kanë pyetur për konflikte të mundshme me persona të ndryshëm. Policia po heton mundësinë e ndonjë konflikti që mund të kenë pasur pjesëtarë të familjes Deliu, madje një prej djemve të saj. Ndërkaq vetë ata kanë pohuar për policinë se nuk kishin pasur probleme apo përplasje që mund të arrinin deri në këtë pikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›