E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi i kthen Berishës “Legalizimet”

Presidenti, Bamir Topi, kthen për rishqyrtim në Parlament disa shtesa dhe ndryshime të ligjit të Legalizimeve.

ADI SHKEMBI

Kur kanë kaluar nëntë muaj nga viti i parë i mandatit presidencial, kreu i shtetit ka hedhur firmën e parë kundër një ligji të qeverisë. Por ky kthim për shqyrtim në Parlament i një ligji të qeverisë, vjen vetëm pak ditë pasi pikërisht nga Kuvendi u miratua një paketë me ndryshime në Kushtetutë, të cilat ndër të tjera ndryshonin edhe mënyrën e zgjedhjes së presidentit nga populli. Megjithëse maxhoranca u tërhoq nga varianti i parë i saj, ai i kundërfirmosjes së dekreteve edhe nga kryeministri ose ministri përgjegjës, kjo nuk e pengoi presidentin Topi të pozicionohej publikisht kundër kësaj pakete ndryshimesh.
Ligji i Legalizimeve
Mesditën e djeshme zyra e shtypit e Presidentit bëri të ditur se, kreu i shtetit ka dekretuar disa ligje, ndërkohë që ka kthyer për rishqyrtim disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për legalizimet”. “Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës, dekretoj kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit nr. 9895, datë 10.04.2008 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar”, thuhet në dekretin e publikuar dje nga zyra e shtypit e kreut të shtetit. Projekti i miratuar fillimisht në qeveri në ditët e para të këtij viti, u shoqërua me kundërshtime të shumta si nga pronarët ashtu edhe nga opozita dhe Partia Republikane, anëtare e koalicionit qeveritar. Por pavarësisht këtyre kundërshtive, maxhoranca nuk u tërhoq aspak në këtë iniciativë të sajën duke bërë që ligji të miratohet në Kuvend vetëm me 52 vota, ose dy vota më pak se numri i deputetëve të Partisë Demokratike në Kuvend. Pas miratimit të këtij ligji republikanët, socialistët, por edhe grupet e interesit i kërkuan kreut të shtetit që të kthente sërish në Parlament ligjin e Legalizimeve. Si një ndër ish-pronar tokash në kryeqytet, Presidenti Bamir Topi ka votuar kundër variantit fillestar të ligjit të Legalizimeve në vitin 2006, por në atë kohë, ai ishte ndër të paktët zëra kundër maxhorancës për këtë proces. Dekreti i kreut të shtetit mbështetet pikërisht në nenin 85 të Kushtetutës, ku në pikën 1 të të cilit thuhet se, “Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë”. Ndërkohë, nga ana tjetër, ky dekret ia vështirëson disi maxhorancës situatën për ta miratuar sërish në Parlament atë, pasi në votimin e dytë, shumicës do t’i duhen jo më një shumicë e thjeshtë votash, por 71 vota dhe në kushtet kur republikanët nuk tolerojnë, një numër i tillë votash nuk garantohet. “Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e një ligji e humbet fuqinë, kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në pikën 2 të nenit 85, i cili detyron PD-në që të gjejë patjetër konsensusin me republikanët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›