E Diel, 1 Nëntor 2026

Turdiu: Në korrik vijnë ekspertët, lëvizja pa viza nis në vjeshtë



Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, njëherësh kryenegociatori shqiptar për çështjen e vizave, Gazmend Turdiu njoftoi dje në lidhje me hapat e fundit për liberalizimin e vizave. Turdiu tha se Qeveria shqiptare do të përmbushë tri kushtet e fundit që janë propozuar brenda muajit qershor, ndërsa në muajin korrik pritet që të vizitojë vendin një grup i fundit ekspertësh nga Komisioni Europian, për verifikimin e zbatimit të tyre. Turdiu tha se ky mbetet hapi i parafundit para se vendimi të shkojë në Parlamentin Europian. “Hapi i radhës ka të bëjë me përmbushjen e këtyre tre nën-çështjeve të fundit, që nuk janë çështje nëse i referohemi Udhërrëfyesit, brenda muajit qershor të këtij viti. Ne presim që në muajin korrik të vijë ekipi i ekspertëve për të verifikuar raportimet tona për plotësimin e këtyre tre nën-çështjeve të fundit dhe besojmë se Parlamenti Evropian do të përmbyllë procedurat e miratimit të propozimit diku nga fillimi i vjeshtës, ndoshta nga muaji shtator”, tha Turdiu. Sipas kryenegociatorit për çështjen e liberalizimit të vizave, vendimi përfundimtar do të miratohet nga Këshilli Europian, gjë që pritet të ndodhë në muajt e vjeshtës. “Më pas, e ka radhën Këshilli i Ministrave i cili duhet të miratojë përfundimisht propozimin e Komisionit Evropian brenda vjeshtës. Janë të gjitha kushtet që njëzet ditë pas miratimit përfundimtar në Këshillin ë Ministrave, të bëhet botimi në fletoren zyrtare të Bashkimit Evropian, vendim i cili hyn menjëherë në fuqi për shtetasit shqiptarë”, tha Turdiu. Ai bëri edhe një pasqyrë të reformave për liberalizimin e vizave duke siguruar se siguria e kufijve dhe e dokumenteve dixhitale është e garantuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›