E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Hakmarrja", mbrojtja ndryshon strategji

19/05/2005  TIRANË – Përsëri gjykata ka rrëzuar kërkesat e avokatëve mbrojtës, të cilët përfaqësojnë në gjyq të pandehurit e akuzuar për pjesëmarrje në krime, që i atribuohen grupit "Hakmarrja për Drejtësi". Avokatët dje kërkuan pezullimin e çështjes dhe dërgimin e saj në Gjykatën Kushtetuese. Sipas përfaqësuesve ligjorë, të pandehurve ky proces i rikthyer disa herë nga shkallët e tjera të gjykimit, nuk duhet të vazhdojë më, pasi janë shkelur disa herë ligjet. Pra, sipas tyre, zbatueshmëria e ligjit nga ana e gjykatës ka qenë në pikën zero, e për këtë arsye gjithçka duhet të pezullohet. Pretendimet e mbrojtjes janë quajtur të pambështetura në ligj, duke u rrëzuar me vendim gjykate. Më pas, me anë të një memorie, avokati Dylber Mani është shprehur se gjykata nuk duhet të vazhdojë këtë proces, pasi duket hapur që mban anën e akuzës, duke i pranuar të gjitha kërkesat duke rrëzuar ato të mbrojtjes. Gjykata ka rrëzuar dje të gjitha kërkesat e avokatëve mbrojtës, për të deklaruar të pavlefshme provat e akuzës. Sipas gjykatës, të gjitha aktet e sjella nga Prokuroria do të shqyrtohen gjatë seancave gjyqësore. Ndërsa në disa raste gjykata i quajti të pambështetura në ligj kërkesat për pavlefshmëri të mbrojtjes. Përveç provave shkresore që janë të shumta në këtë proces, përfaqësuesit e akuzës kanë dorëzuar në gjykatë listën e gjatë të dëshmitarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›