Mbrojtja, Papuçiu në gjendje të rëndë shëndetësore
19/05/2005 TIRANË – U kap me 500 kg kanabis sativa të paketuar, gati për t’u nisur drejt Greqisë dhe tani kërkon të jetë nën vëzhgimin e doktorëve. Avokati Mark Pëllumbi i kërkoi gjykatës ngritjen e një grupi ekspertësh për të përcaktuar gjendjen në të cilën ndodhet aktualisht klienti i tij, Alban Papuçiu. Sipas avokatit Papuçiu, është në gjendje të rëndë, pasi njihet si përdorues droge. Që prej gjashtë muajsh ndodhet në Spitalin e Burgut. Mjekët do të përcaktojnë shkallën e sëmundjes dhe nëse kushtet e spitalit janë të favorshme për mjekimin e tij. Të pandehurit u kapën në flagrancë me kamionin e tyre, duke u bërë gati për transportimin e sasisë së hashashit të ndarë në 202 pako të presuara dhe 98 pako të papresuara. E gjithë kjo lëndë narkotike, sipas prokurorit, ishte fshehur në fundin e dyfishtë të kamionit, që nisej në drejtim të Greqisë. Për akuzën, i pandehuri Alban Papuçiu dyshohet se është pronari i hashashit dhe Ibrahim Zili është shoferi i kamionit "Mercedes Benz", me targa TR 4116 I. Dy personat e mësipërm janë marrë në pyetje për të zbuluar rrjetin e trafikut të hashashit, si dhe destinacionin përfundimtar në Greqi. Por deri tani, të pandehurit nuk kanë dhënë asnjë shpjegim. Para Gjykatës së Krimeve të Rënda, akuza tha se përveç hashashit dhe kamionit, në momentin e arrestimit policia ka sekuestruar 300 euro, 21 mijë lekë të reja, një celular si dhe 4 karta telefonike, tre prej të cilave ishin italiane, turke dhe greke.