E Hënë, 2 Nëntor 2026

Drogë dhe armë në banesën e biznesmenit Mansaku

19/05/2005  Dyshimet për implikimin e policisë së Tiranës, kërcënimet me jetën, takimi me deputetin

Dhe telashet s’kanë të sosur. Nuk është vetëm falsifikimi i dokumentacionit që në pak ditë e bëri me mbi 2 mijë metra katrorë pronë më pak, por janë dhe të tjera halle që i janë shtuar dita-ditës biznesmenit. Telefonata kërcënuese anonime, presion nëpërmjet njerëzve me pushtet, ndërhyrja e këtyre të fundit për të ndikuar në bllokimin e aktivitetit. Kryetarja e komunës Ndroq, Fatime Goga, gjykatës, prokurorë, regjistrues pasurish në Tiranë, janë të akuzuar nga Xhevdet Mansaku për veprime të paligjshme ndaj tij. Proceset gjyqësore ende s’kanë përfunduar. Më së fundi kurthi me armë dhe drogë në banesë. Pafajësia ka ardhur nga ndershmëria e Mansakut, e dyshimet shtrihen mbi policinë si e implikuar në këtë histori të gjatë disavjeçare. Rrëfimi i tij vijon dhe sot, këtë herë duke thelluar akuzat.

Jeni kërcënuar me jetën

Kam pasur presione telefonike, anonime, të cilat menjëherë i kam denoncuar në Prokurori dhe në policinë e kryeqytetit.

Çfarë thonin telefonuesit?

Më thonin që të hiqja dorë nga pretendimet e mia, kërcënime me jetë për mua dhe për familjen time.

Cilët persona keni njohur?

Kam patur një kërcënim nga kryetarja e komunës, Fatime Goga, e cila më doli para makinës dhe kur po flisja në telefon për punë të miat, kisha dhe djalin me vete, më ofendoi. Djali, pasi e dëgjoi, doli nga makina dhe shkoi të sqarohej. Në makinën e kryetares ishte shoferi i saj, Bahri Çekerri, motra e saj, Suzana. Shoferi del nga makina dhe nuk e lejon djalin të afrohet te kryetarja. Në këto momente i afrohem Fatimes dhe i them çfarë ke që vepron në këtë mënyrë. Ajo më thotë se pse merresha me gazeta. Unë i thashë se shtypi është i lirë, ndaj po të doni merruni dhe ju. I thashë se është e vërtetë që unë kam kontaktuar me fshatarë, që Hidri, bashkëshorti ka marrë lekë, por kam arritur të takoj vetëm 10 për qind të tyre. Kam dhe 90 të tjerë, do vazhdoj deri në fund… I kam thënë, kryetare, unë po punoj me institucionet e shtetit, që janë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit, punoj me policinë, prokurorinë dhe me SHISH-in, në mbrojtje të ligjeve të shtetit shqiptar.

Pastaj si reagoi ajo?

Pastaj u largova. Pa bërë as njëqind metra rrugë, më kërkon një bashkëpunëtor i imi, që ta takoja në Kombinat dhe u ktheva në këtë drejtim. Ajo pas këtij veprimi ndryshoi drejtimin dhe më dilte para makinës. Këtë punë e bëri disa herë, sepse unë i shmangesha, deri në Kombinat, provokimeve të saj.

Kishit frikë?

Më datë 29.12.2004, rreth orës 12.00, në një lokal pranë Urës së Beshirit, po pija një kafe me dy shokë të mi. Vijnë dy-tre furgonë policie, të gjithë të panjohur, përveç punëtorit të policisë, Sokol Matës.

Përse erdhën??

Më kërkuan të ngrihesha nga tavolina, dhe m’u prezantuan si policë të antidrogës të Drejtorisë së Tiranës.

Çfarë ju kërkuan?

Kërkuan të më merrnin me vete. Kërkova të di përse, por më thanë se do të kontrollojmë banesën. Mëgjithëse u thashë që të shkonin dhe të bënin kontroll, ata këmbëngulën që të shkoja me ta.

Shkuat?

Unë kërkova prej tyre mandat kontrolli nga Gjykata për të hyrë në banesën time, më thanë nuk të japim llogari, por hajde shpejt me ne. Kërkova të kontaktoj me avokatin tim, por nuk më lanë, duke më izoluar.

Ju morën?

Më morën nga lokali, më dërguan në banesën time, më kontrolluan imtësisht.

Gjetën gjë?

Gjatë kontrollit nuk konstatuan asgjë të kundraligjshme. U kërkova të mbanin procesverbal të bërjes së kontrollit në shtëpinë time dhe ata e mbajtën. Pastaj u larguan.

Si vepruat pas kontrollit?

Menjëherë pas largimit të policisë fola me avokatin tim Shpëtim Lika, në telefon dhe i tregoj ngjarjen. Ai më udhëzoi që të shkoj në Drejtorinë e Tiranës në zyrën e antidrogës, e të kërkoja vendim gjykate, mandat kontrolli, se ky ishte një veprim i paligjshëm.

Vajtët?

Shkova te shefi i zyrës së antidrogës Alfred Numnani, ku i kërkoj vendimin dhe mandatin e kontrollit të banesës. Përgjigjja ishte, ne të kemi kontrolluar sipas ligjit, në kushtet e flagrancës, e s’kemi këto dokumente që kërkon ti.

Ku shkuat pas takimit me shefin e antidrogës?

Bëra kallëzim në Prokurorinë e Tiranës. Por me sa duket nuk kishin mbaruar problemet me mua. Më datë 5 janar 2005, rreth orës 8 të mëngjesit, gruaja ime, më kërkon një punëtor që të pastrojë anekset e shtëpisë. Rreth orës 10.00, kur po rrija me dy miq në një lokal, më merr sërish gruaja në telefon, tepër e alarmuar më tha se kishte konstatuar dy pako të mëdha të zeza, për të cilat ajo dyshonte se kishin diçka që mund t’u hapte telashe. Unë i alarmuar para këtij fakti, nëpërmjet telefonit, lajmërova fillimisht Shërbimin Informativ Kombëtar, Prokurorinë e Tiranës dhe Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Komisariatin nr.4 dhe avokatin. Pastaj qëndrova larg deri kur erdhi eksperti e shefi i krimeve të rajonit 4. Shefi i krimeve foli në radio me Drejtorinë e Antidrogës, që ata të vinin në vendin e ngjarjes, por ata, çuditërisht nuk erdhën. Ai bashkë me ekspertin hynë në banesë dhe pas këqyrjes bënë ekspertizën dhe gjetën dy pako që i dërguan në drejtori.

Çfarë kishte në pako?

Me kërkesën time shkova familjarisht në Drejtorinë e Policisë për të marrë shenjat e gishtave. Po atë ditë, në mbrëmje, bëra kallëzimin e dytë. Në pako, kur unë po bëja kallëzmin, specialistët e hapën dhe gjetën brenda kanabis stativa 2.8 kile e paketuar dhe në tjetrën dy automatikë kallashnikovë, gjashtë krehër me fishekë dhe 450 fishekë.

Kush i kishte vënë ato pako në shtëpinë tuaj, sipas jush?

Sipas meje, ky skenar u përgatit nga palët në konflikt, për të realizuar ëndrrën e grabitjes së pronës sime. Këtë skemë ata e përdorën në fund, pasi u bindën që në dokumentet e mia s'kishte asnjë mundësi që të përfitonin pronat e mia.

Proceset që ende vazhdojnë në gjykatë

Xhevdet Mansaku thotë se, aktualisht, në gjykatë është kërkesa për të bërë vlerësimin real të tatimit mbi objektet dhe për të kërkuar dëmin e shkaktuar. Po ashtu në gjykatë është dhe kërkesa e punëtorit të policisë, Sokol Mata, që ka bërë kundër meje për shpifje për shkak të detyrës. Sipas biznesmenit, deri në këto momente në dosjen e armëve dhe drogës, juridikisht nuk kemi autorë dhe është detyra parësore e punëtorit të policisë Mata, e Policisë së Shtetit, që të gjejë autorët e drogës dhe armëve vendosur në banesën time. Mansaku deklaron se ka kërkuar me insistim e këmbënglje zbardhjen e të vërtetës mbi këtë skenar armësh e droge. Kam dërguar telegram për të takuar ministrin e Rendit, Igli Toska, Prokurorin e Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, drejtorin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Sami Rasha, por deri tani nuk kam marrë as takim, as përgjigje.

Ndërkohë, Xhevdeti thotë se gjyqtari në Gjykatën e Tiranës, Petrit Çomo, gjatë gjykimit të kërkesës së tij disa herë, ka sugjeruar që të hiqja dorë nga kërkesa për hetimin e çështjes dhe të ndiqja zgjidhje civile.

Takimi dhe dyshimet mbi deputetin Hasan Hoxha

I gjendur në një situatë të vështirë, Xhevdet Mansaku ka kërkuar dhe ka takuar deputetin e zonës, Hasan Hoxha. "Takimin e kërkova dhe u realizua në një lokal. Pasi e përshëndeta e vlerësova pranimin e tij në këtë takim, i tregova për të gjithë atë që kishte ndodhur. Ia bëra të qartë deputetit, se nuk kisha për qëllim të kërkoja ndihmë në kundërshtim me ligjet, por i kërkova që drejtësia të thoshte fjalën e saj dhe kërkesa ime para tij ishte e qartë. Mos ndërhyni në organet e drejtësisë që të mbuloni korrupsionin në këtë ngjarje, pasi unë dyshoja se ai kishte ndikim në disa momente. I shpjegova deputetit se kisha punuar me institucionet e shtetit, si polici, prokurori, e SHISH, e kisha mbledhur fakte dhe i shoqëruar nga shërbimi informativ që e implikonin rëndë për mitmarrje, korrupsion, burrin e kryetares së komunës, zotin Hidër Gogaj. Hoxha nga ana e tij më sugjeroi që këto probleme unë duhet t’i zgjidhja me mirëkuptim me palën e konfliktuar, kryetaren dhe të shoqin. Ndërsa për informacionin e grumbulluar, ai më tha: Për mendimin tim ke vepruar gabim, këtë punë të mos e kishe bërë. Megjithatë ti e di vetë punën tënde". Qëndrimi i mëvonshëm i deputetit, sipas meje, ishte bllokues, i interesuar që të mos zbardhej e vërteta. Kjo, sipas meje, thotë Mansaku, lidhet me faktin që deputeti Hoxha është djali i tezes së burrit të kryetares së Komunës, të Hidër Gogës. Unë thotë ai, dyshoj se kjo ka ndikuar në këtë qëndrim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›