E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmarrja, plumb pas koke 40-vjeçarit

Me një plumb pas koke
ka mbetur i vrarë një
40-vjeçar në Tiranë, i
cili mendohet se u ekzekutua
për hakmarrje. Ramazan Dorzi
ka qenë me një mikun e tij duke
qëndruar në oborrin e një lokali,
që aktualisht përdoret për fushatë
nga LSI-ja, kur një person rreth
të tridhjetave i është afruar nga
rruga, ka nxjerrë një pistoletë dhe
e ka qëlluar vetëm një herë. Por
plumbi pas koke i ka shkaktuar
vdekjen e menjëhershme, ndërsa
shoqëruesit të viktimës i ka rënë
të fi kët. Policia ka shoqëruar për
vrasjen e tij, i cili njihet edhe me
emrin Shkëlqim Dorzi, 32 persona,
e shpreson që autori të jetë
njëri prej tyre.
Atentati i rëndë ka zgjatur pak
sekonda, pavarësisht se nuk ishte
hera e parë që tentohej vrasja e
tij, pasi i ishin bërë edhe dy atentate
të tjera. Rreth orës 18.00,
personi i veshur sportiv i është
afruar tavolinës ku qëndronte
Dorzi dhe një miku i tij me emrin
Bledi. Ata ishin pikërisht në
rrugën për Yzberisht, sapo kalon
urën për të shkuar te fusha, në një
lokal, ku binin në sy banderolat e
subjektit politik LSI. Aty, personi,
duke shfrytëzuar dy vazo me lule
për t‘u fshehur pas tyre kur të
nxirrte pistoletën, e ka qëlluar
nga mbrapa. Në ato momente
krisma është dëgjuar në gjithë
zonën dhe njerëzit kanë dalë për
të parë se çfarë kishte ndodhur.
Janë afruar te lokali dhe kanë
parë dy persona të shtrirë. Njëri
ishte i mbuluar me gjak, ndërsa
tjetri jo. Ramazan Dorzi tashmë
kishte ndërruar jetë, ndërsa
shoku i tij kishte pësuar gjendje
të fi këti. Por në largësi është parë
një person, duke vrapuar dhe që
është fshehur.
Policia, e njoftuar për këtë
ngjarje të rëndë, fillimisht ka
menduar se ishte një vrasje për
arsye politike, por shumë shpejt
ka mundur të zbardhë detajet
e para të saj. E mobilizuar
shumë shpejt, uniformat blu
kanë rrethuar gjithë zonën dhe
kanë shoqëruar gjithë personat e
dyshuar për krimin e rëndë. Duke
u ndihmuar edhe nga një familjar
i viktimës, që ndodhej aty pranë,
policia ka ngritur dyshimet e para
se krimi është kryer për hakmarrje.
Ramazan Dorzi, 40 vjeç, i
cili është babai i një djali¸ kishte
kaluar edhe atentate të tjera, e për
këtë arsye mbante edhe armë me
vete. Grupi hetimor ka mundur
t‘i gjejë atij një pistoletë, që sipas
dëshmive, e mbante prej kohësh
nga frika e ndonjë atentati, ashtu
si ai i djeshmi që i mori jetën.
Më pas, shërbimet policore kanë
shoqëruar disa persona për këtë
ngjarje, duke mos përjashtuar
edhe dëshmitarin më kyç të saj,
shokun e viktimës, i cili ka vënë
re autorin e krimit. E numri i
të shoqëruarve është rritur më
shumë, duke shkuar në 32 veta.
Gjithashtu, policia ka
shoqëruar edhe dy të dyshuar
për krimin, por ende nuk dihet
nëse është pikasur autori i
krimit. Burimet nga grupi hetimor
shpjeguan se është ushtruar
kontroll edhe në banesat e të
dyshuarve, por nuk është gjetur
ndonjë provë implikuese. Sipas
policisë, ngjarja në fjalë mendohet
se do të zbardhet shpejt,
pasi dihet edhe dinamika e këtij
personi. Madje, shpjegoi se
atentate nuk i janë bërë vetëm
atij, por edhe anëtarëve të tjerë
të familjes së tij. Nga të dhënat
e para hetimore mësohet se
viktimës i janë bërë dy atentate
të tjera. Ndërsa për ngjarjen e
djeshme, policia tha se ka disa
pista hetimore, por kryesorja
mbetet ajo e hakmarrjes. Sipas
policisë, në vitin 1997, atij i kanë
vrarë një vëlla. E për këtë krim,
dyshohet se ai është hakmarrë,
megjithëse fajësia e tij nuk është
provuar asnjëherë. E duket se
hakmarrja ka bërë që atij t‘i
bëhen disa atentate. Madje, ai
nuk ka pranuar asnjëherë të
tregojë autorët e atentateve,
pavarësisht se policia ka pasur
prova të forta se ai i dinte autorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›