E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreh gruan, denoncohet nga e bija

Dhunon fizikisht gruan, duke i shkaktuar
plagosje të rënda në trup,
dhe si të mos mjaftonte kaq, nuk e
dërgon për ndihmë mjekësore në spital,
duke e mbajtur të plagosur në banesë.
Sherri në çift ka nisur pas insistimit të burrit
për të konsumuar alkool dhe "dënimit" që
i kishte dhënë e shoqja duke i derdhur tërë
pijet e forta që mbanin në shtëpi. Ngjarja,
që ka pasur për protagoniste një 63-vjeçare
nga qyteti i Beratit, ka ndodhur mbrëmjen
e së enjtes, ndërkohë që e dëmtuara ka
mbërritur në spital vetëm mesditën e së
shtunës. Lizheta Mice, 63 vjeçe, mësohet
se mesditën e së shtunës ka mbërritur në
repartin e kirurgjisë në spitalin e Beratit,
me plagë të ndryshme në trup. Ka qenë
vajza e çiftit Mice, e cila pasi e ka gjetur të
dhunuar në banesë të ëmën, e ka transportuar
me urgjencë drejt spitalit për ndihmë
shëndetësore. Sipas mjekëve, gruaja
është paraqitur me hematoma të ndryshme
në fytyrë, plagë në trup dhe trauma
mendore. 63-vjeçarja ka marrë ndihmën
e parë shëndetësore dhe ndodhet
nën kujdesin e bluzave të bardha në repartin
e kirurgjisë. Mjekët pohojnë se e lënduara
është duke marrë mjekime, por
ende nuk ka reagime nga ajo, pasi gjendja
e saj është tepër e rënduar.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj ndodhet
në prangat e uniformave blu. Burime nga
policia e Beratit bëjnë të ditur se menjëherë
pas marrjes së informacionit, se një grua e
moshuar është keqtrajtuar dhe ndodhet
në gjendje të rëndë në spital, kanë nisur
hetimet për këtë ngjarje. Pas mbledhjes së
dëshmive dhe hetimeve paraprake është
bërë e mundur vënia në pranga e autorit
të ngjarjes, që rezulton të jetë vetë bashkëshorti
i saj. Të njëjtat burime referojnë
se 61-vjeçari, Protokop Mici, ka dhunuar
bashkëshorten në dehje e sipër, pasi kjo e
fundit e ka penguar të konsumojë më
tepër alkool. I dalë jashtë kontrollit, 61-
vjeçari ka insistuar për të konsumuar raki.
Ky ka qenë burimi i konfliktit mes tyre. E
shoqja, në shenjë revolte, i ka derdhur të
gjitha pijet alkoolike që ka pasur në
banesë, duke zemëruar keqas të shoqin.
61-vjeçari Mici ka nisur ta godasë, duke i
shkaktuar fraktura të rënda në trup dhe e
ka fshehur faktin për dy ditë rresht, duke
mos i dhënë asnjë lloj ndihme mjekësore.
Sipas burimeve policore, ka qenë vajza e
tyre, e cila ka shkuar për vizitë te prindërit,
por ka gjetur të ëmën në gjendje të rëndë
dhe ka denoncuar më pas prindin e saj.
Ndërkohë që e dëmtuara është çuar për
në spitalin rajonal të qytetit, policia ka
bërë të mundur pasditen e së shtunës arrestimin
e 61-vjeçarit, cili është në pritje
për t‘u përballur me akuzën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›