E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tension në Mitrovicë, shmanget përplasja mbi urë

Policia arriti të mbante larg shqiptarët dhe serbët

Ura që bashkon fizikisht dy pjesë të qytetit, por që është tashmë simbol i ndarjes së Mitrovicës më shumë se vetë lumi Ibër, është kthyer dje përsëri në qendër të vëmendjes, si arena e përplasjes së radhës mes shqiptarëve dhe serbëve

Protesta

Dje në veri të Mitrovicës mbaheshin zgjedhjet ilegale të organizuara nga ana e Serbisë, ndërsa në pjesën jugore të qytetit është mbajtur një protestë paqësore, e organizuar nga veteranët e luftës së UçK-së, lëvizja “Vetëvendosje” dhe disa organizata të tjera, me moton “Ta mbrojmë sovranitetin e Kosovës”, në kundërshtim të zgjedhjeve paralele serbe. Protesta filloi nga sheshi i Jasharajve për të vazhduar drejt sheshit “Isa Boletini”. Kryetari i shoqatës së veteranëve të luftës së UçK-së, Muharrem Xhemajli, tha në këtë tubim se ishin mbledhur për të kundërshtuar shkeljet e vazhdueshme që po i bëhen sovranitetit të Kosovës nga Serbia dhe se për këtë, fajtore janë institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari, tha se përgjegjëse për shkeljen e sovranitetit të Kosovës nga ana e Serbisë janë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare. “Kjo protestë jona është vetëm fillimi për ta bërë të plotë, për ta ruajtur dhe për ta mbrojtur sovranitetin e Kosovës. Ky është borxhi që ia kemi gjakut të derdhur të luftës çlirimtare të UçK-së”, tha ndër të tjera Jashari, sipas agjencisë “Kosova Press”.

Përplasja

Por ndërsa shqiptarët protestonin paqësisht në jug të qytetit, qindra serb u mblodhën në skajin verior të urës “ndarëse” dhe që atje filluan të hidhnin gurë ndaj shqiptarëve. Situata u tensionua kur një pjesë e protestuesve shqiptarë u nis drejt urës së Ibrit në drejtim të veriut të qytetit. Pjesëtarët e policisë speciale të EULEX-it dhe KFOR-i u vendosën mbi urën e lumit Ibër, pas provokimit nga ana e serbëve, të cilët hodhën gurë dhe sende të tjera në drejtim të shqiptarëve. Policia e Kosovës u vendos në të dyja anët e lumit Ibër, në përpjekje për të qetësuar turmat e shqiptarëve dhe serbëve. Për shkak të tensionimit të situatës pas provokimit të serbëve, njësia speciale e Policisë së Kosovës është detyruar të përdorë gazin lotsjellës, raporton “Kosova Press”. Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, sqaroi se përdorimi i gazit lotsjellës ka qenë i domosdoshëm. “Me rëndësi është që nuk erdhi deri te kontakti fizik mes të dy grupeve shqiptare dhe serbe. Situata kishte tension të një niveli të lartë, por sidoqoftë është arritur të vihet situata nën kontroll. Nuk kemi informacione për persona të lënduar nga të dyja palët. është dashur që policia të vërë në përdorim gazin lotsjellës në një masë mjaft të vogël, për t’i detyruar protestuesit që të shpërndahen në të dyja anët”, tha Hoti për radion “Europa e Lirë”. Situata u vu nën kontroll rreth orës 14:00 dhe protestuesit në të dy anët e urës u shpërndanë. Policia njoftoi se nuk pati të lënduar, as arrestime dhe se gjithçka i është kthyer normalitetit në qytetin e ndarë. Megjithatë, forca të shumta të policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it mbeten në këtë qytet, ku vetëm për normalitet nuk mund të flitet.

Përgatiti: Kamber Velaj

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›