Zharrëz, komisioni fillon verifikimin e dëmeve nga gazi
FIER - Një komision prej 7 personash mbërriti dje në Zharrëz të Fierit për të verifikuar në terren dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i së premtes. Sipas komisionit që përbëhej nga specialistë mjedisi, agronomë, përfaqësues të pushtetit vendor, të kompanisë "Albpetrol" dhe përfaqësues të qarkut është ende shpejt për të dhënë një shifër të saktë për koston monetare të dëmeve, pasi një pjesë e tyre është e vështirë për t'u evidentuar. Ndërkohë që prefekti Shahin Bejdaj ka pohuar dje, se i gjithë dëmi i shkaktuar jo për faj të banorëve do të shpërblehet deri në qindarkën e fundit. Sipas tij, prioritet në dëmshpërblim do të kenë banorët që patën probleme shëndetësore pas shpërthimit. "Në qendër të vëmendjes janë 11 banorët e asfiksuar nga gazi ditën e shpërthimit. Gjithë shpenzimet e kurimit në spital do t'u kthehen pas, si dhe do të merren masa për t'u ardhur në ndihmë edhe pas kësaj periudhe, me qëllim që të sëmurët të mos kenë probleme financiare për të marrë mjekimin që u duhet për rehabilitimin e shëndetit. Gjithçka do të bëhet brenda një kohe shumë të shkurtër, në bashkëpunim edhe me kompaninë e naftës "Albpetrol" sh.a.", është shprehur ndër të tjera Bejdaj. m.r.