E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqërohen 10 vetë për "kokën e prerë"

Dosja "koka e prerë" ka dalë mbi tryezat e punës së antikrimit në Sarandë. Në ditët e fundit, kur krimi makabër i vrasjes me prerje koke të fermerit konispolat Zihni Myderrizi, po mbush 30 muaj, puna hetimore po bën që të ngushtohet rrethi i personave të dyshuar si autorë të kësaj vepre tronditëse. Në Komisariatin e Policisë së Sarandës, mësohet se hetimet janë intensifikuar pas shpjegimeve të detajuara dhe kërkesave këmbëngulëse të vëllezërve të viktimës, Fiqiri e Ilmi Myderrizi. Dje ka qenë dita e tretë e punës hetimore në Konispol. Pas kësaj, forcat e departamentit të hetimit të krimeve të Policisë së Shtetit kanë kryer shoqërimin e më shumë se 10 shtetasve të dyshuar. Ata janë marrë në pyetje për të dëshmuar ato që dinë mbi vrasjen e fermerit 45-vjeçar, Zihni Myderrizi. Hetuesit mësohet të kenë ndërtuar me kujdes punën speciale, duke ruajtur konspiracion të plotë për emrat e personave të dyshuar dhe pyetjen e tyre. Për të mbërritur në zbardhjen e plotë të ngjarjes, në hetim është përdorur edhe teknika e përgjimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›