E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë, burri xheloz vret gruan në qendër të qytetit

Një burrë nga Lushnja ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij dhe ka plagosur rëndë kushëririn. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së premtes vetëm pak metra larg Komisariatit të Policisë Lushnjë. Ka qenë ora 11:30 minuta e ditës së djeshme, kur 47-vjeçari Alltun Çela, pas një debati me gruan e tij, Feriden, ka nisur ta qëllojë atë me grushte e shqelma. Sikur të mos mjaftonte gjithë kjo, ai ka marrë thikën që mbante të fshehur në dyqan dhe pasi e ka rrëzuar gruan përtokë i ka prerë fytin dhe është munduar t‘ia shkëpusë fare kokën nga trupi. Në tentativë për të parandaluar këtë vrasje ka ndërhyrë kushëriri i autorit, Lirim Çela, 51 vjeç, i cili nuk ka mundur të bëjë asgjë, pasi është qëlluar me thikë nga kushëriri. Sherri i nisur në brendësi të dyqanit ku punonin burrë e grua ka përfunduar në rrugë. Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë për "Shqip" se pikërisht në rrugë autori është munduar t‘ia presë kokën gruas, që nuk reagonte më pas disa goditjeve me thikë. E gjithë ngjarja ka zgjatur pak minuta, ndërkohë që kalimtarë të rastësishëm dhe banorë të lagjes "Çlirim" ku ndodhi ngjarja kanë njoftuar policinë. Policia deklaron se e ka gjetur të vdekur 45-vjeçaren Feride Çela, ndërsa ka dërguar në spital Lirim Çelën, kushëririn e autorit të vrasjes. Mësohet se ky i fundit ka marrë dy plagë në trup dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Alltun Çela, autor i vrasjes është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, por është kapur nga policia vetëm 15 minuta pas kryerjes së krimit. Burimet policore tregojnë se në momentin që u kap, ai mbante ende në dorë thikën. Policia tha se vrasësi nuk ka bërë rezistencë në momentin e arrestimit. Madje, kur i kanë vënë prangat, ai ka shpërthyer në lot dhe ka shprehur pendesë para policëve. Burimet policore thanë se edhe disa orë pas arrestimit, gjendja psikike e 47-vjeçarit ka qenë shumë e rënduar. Ai godiste me kokë murin e dhomës ku u izolua dhe fliste me vete. Burime nga grupi i hetimit tregojnë se shkak i këtij krimi ka qenë xhelozia. "Edhe pse nuk kishte fakte kundër bashkëshortes, fiksimi e çoi drejt këtij vendimi të rëndë", thonë nga grupi i hetimit. Vrasësi është marrë në pyetje në prani të psikologut. Komunikimi me të ka qenë mjaft i vështirë, çka ka bërë që policia të mos krijojë dot një ide të qartë mbi ngjarjen. Megjithatë, policia e Lushnjës thotë se xhelozia është motivi kryesor. Mësohet se mes autorit dhe viktimës nuk ka pasur debate më parë, madje ata kishin një jetë bashkëshortore mjaft të mirë. Por, për shkak të një aksidenti automobilistik, burri kishte disa vite që nuk gëzonte shëndet të plotë mendor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›