E Diel, 1 Nëntor 2026

Hakmerret për nënën, vret gruan e xhaxhait

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje, paradite, në periferi të Laçit të Vaut të Dejës. Një grua 57 vjeçe, nënë e 6 fëmijëve, është qëlluar për vdekje me armë zjarri nga nipi i burrit të saj. Autori vrasjes, që kishte dy ditë që ishte kthyer nga emigracioni, e ka thirrur viktimën në shtëpinë e tij e më pas e ka vrarë pasi dyshonte se ajo i kishte vrarë nënën para dy muajsh.

Vrasja

Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 11:00 të ditës së djeshme në lagjen "Kapedani", të Laçit të Vaut të Dejës, 40 km larg qytetit të Shkodrës. Marie Brozi është qëlluar me disa plumba pistolete për vdekje nga nipi i burrit të saj, Ndoc Brozi, 45 vjeç, i cili, pasi ka kryer vrasjen në sy të gjithë pjesëtarëve të familjes, ka mundur të largohet pa rënë në dorë të policisë. Mësohet se autori Ndoc Brozi kishte dy ditë që ishte kthyer nga Greqia dhe prej dy ditësh ishte treguar mjaft i ashpër me të afërmit e tij, në lidhje me vdekjen e nënës, Dake Brozi, 60 vjeçe, e cila është gjetur e prerë në fyt para dy muajsh, brenda shtëpisë së tij. Me gjithë dyshimet e shumta, që u ngritën para dy muajsh në lidhje me vdekjen e Dake Brozit, policia e Shkodrës e klasifikoi këtë ngjarje si vetëvrasje. Por me këtë duket se nuk ka qenë dakord djali i viktimës, Ndoc Brozi, i cili është kthyer nga Greqia për t‘u hakmarrë për nënën e vdekur. Kështu, ai ka thirrur dje në shtëpinë e tij Marie Brozin, nusen e xhaxhait, pasi dyshonte se ajo mund të kishte vrarë nënën. Debati mes tyre është ashpërsuar, pasi viktima nuk e ka pranuar akuzën e rëndë dhe Ndoc Brozi ka rritur deri aty sa të qëllojë me pistoletë mbi gruan 57 vjeçe, në sy të fëmijëve dhe gruas së tij.

Arratia

Pas vrasjes, duke përfituar edhe nga terreni malor dhe i pyllëzuar i zonës, Ndoc Brozi ka mundur të largohet. Policia ka sekuestruar në vendin e ngjarjes tre gëzhoja pistolete, ndërkohë që forca të shumta janë angazhuar në një aksion krimi, duke bërë krehjen e gjithë zonës me qëllimi zbulimin e prangosjen e autorit. Burime nga policia e Shkodrës bëjnë të ditur se nisur nga fakti që autori ka ardhur nga Greqia, fotoja e tij është shpërndarë të gjitha pikave të kalimit kufitarë, me qëllim ndalimin e tij pa kaluar kufirin.

Reagimi

Vëllai i viktimës, Martin Preka, thotë se autori i vrasjes ka qenë nën efektet e depresionit mendor, pasi motra e tij nuk kishte asnjë lidhje me vdekjen e Dake Brozit. Ai tregon se ishte duke punuar në oborrin e shtëpisë së tij, 300 metra larg shtëpisë ku ndodhi ngjarja, kur ka dëgjuar një britmë fatkeqësie. Kishte qenë zëri i gruas së autorit të vrasjes. Ajo lajmëroi edhe policinë, por kur policia dhe të afërmit shkuan atje, gjithçka ishte e kotë, pasi Maria kishte vdekur, ndërsa autori ishte larguar. "Kisha dëgjuar se autori kishte ardhur në gjendje depresive nga Greqia, pas vdekjes së nënës së tij, e cila u vetëvra. Madje, dëgjuam se kishte kërcënuar dhe infermieren e shoferin e ambulancës, të cilët, sipas tij, nuk i kishin dhënë ndihmën e duhur nënës", tregon Martin Preka. Atij i duket e çuditshme gjithçka që ka ndodhur, pasi familja e motrës së tij dhe ajo e vrasësit shkonin shumë mirë. "Më e çuditshme është që ai e ka thirrur vetë në shtëpinë e tij dhe e ka vrarë aty", thotë Martini.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›