E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma Shëndetësore, demokratët i sigurojnë 216 votat



Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se për momentin i kanë mbledhur 216 votat e nevojshme për të aprovuar në Dhomën Përfaqësuese reformën Shëndetësore. Deklaratën e ka bërë në të gjithë televizionet kreu i grupit parlamentar demokrat në Dhomë, John Larson. “Presidenti Rusvelt ka miratuar “Social Security”, Lindon Xhonson ka aprovuar “Medicare”. Sot, Barak Obama do të aprovojë reformën e Shëndetit”, tha Larson. Kjo reformë, e shumë diskutuar nga republikanët, i ofron ndihmë mjekësore 32 milionë qytetarëve. Pritet që Dhoma Përfaqësuese ta miratojë dokumentin e miratuar më parë në Senat. Në apelin e tij të fundit drejtuar deputetëve të partisë së tij, Presidenti Obama ka cituar fjalët e Linkoln: “Nuk jam i detyruar të fitoj, por jam i detyruar të them të vërtetën. Dhe jam i bindur se kjo është gjëja më e drejtë për të bërë”. Votimi do të ketë përfunduar gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm. “Nëse secili prej jush beson se ky ligj nuk është një përmirësim i status quo-s, ku shumë njerëz janë të detyruar të vdesin pa u kuruar, apo të shesin shtëpinë e tyre sepse nuk kanë paratë për të paguar një mjek, nëse besoni vërtet në thellësinë e zemrës suaj se është kështu, atëherë votoni jo”, tha ai duke shtuar se “nëse besoni se sistemi aktual nuk funksionon dhe se sigurimet nuk janë në interes të qytetarëve, atëherë votoni këtë reformë. Nuk ju kërkoj ta bëni për mua, apo për partinë demokratike, por për popullin amerikan, për ata persona që nuk ia dalin dot vetë dhe që kanë nevojë për ndihmë”. I prekur, në fund Obama ka lexuar disa nga letrat që ka marrë së fundmi, nga njerëz që nuk kanë mundur të marrin asistencë mjekësore. “E di që ligji nuk është perfekt, por është ndërhyrja më e madhe legjislative për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, përfundoi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›