Halili: “Trajneri është argjentinas”
Tirana do te ketë një trajner argjentinas. Lajmi është bërë i dituar nga vetë presidenti i klubit, Refik Halili. “Jam në bisedime me një trajner të njohur argjentinas të cilit për efekt tratativash do të lutesha të mos më kërkonit emrin. Deri tani pothuajse kemi arritur akordin dhe besoj se brenda dy-tri ditëve do të zyrtarizojmë teknikun e ri. Ai do të bëjë edhe listën e futbollistëve për të formuar një Tiranë kompetitive për sezonin e ri. E di që të gjithë tani do më kërkojnë emrin e argjentinasit por për momentin ndjej t’ju them vetëm se do të jetë shumë shpejt në Tiranë”, ka pohuar Halili.
I qartë dhe i drejtpërdrejtë, ky është Refik Halili në versionin president i Tiranës. I kamufluar diçka më shumë jo vetëm nga merkatoja, zërat për trajnerin e ri por edhe për disa shkrime në dy të përditshme sportive shqiptare Halili ka shpërthyer ndaj atij që ai e quan “fajtori” Nr.1, presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. “Kam lexuar disa shkrime në media e shkruara në të cilat thuhet se një prej donatorëve do të largohet nga Tirana. Një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë. Normalisht unë e di se autori i këtyre shkrimeve nuk mund të jetë veçse kreu i FSHF-së Duka i cili kërkon të krijojë përreth klubit të Tiranës një atmosferë aspak pozitive dhe acaruese”, ka thënë Halili.
Lacio kërcënon me gjyq Behramin
Lacio do të humbasë Valon Behramin në bazë të nenit 17 të FIFA. Presidenti lacial Klaudio Lotito do të provojë forcën për të ndalur largimin e shqiptarit me pasaportë zvicerane, duke kërcënuar se do ta çojë çështjen në gjykatë. Behrami nuk pranoi të rinovonte kontratën me Lacion, më synimin për të luajtur në Spanjë me Seviljen. Gjithsesi, nga Lacio do të largohet Rolando Bianki, ndërsa e gjithë vëmendje e klubit bardhekaltër do të fokusohet te maqedonasi Goran Pandev. Pak ditë më parë edhe për Igli Tare u konfirmua rinovimi edhe për dy sezone të tjera i kontratës. “Kur shënon gola, e quajnë zviceran, ndërsa kur bën lojë të dobët e quajnë kosovar”. Kështu shkruhet për Valon Behramin në një shkrim me titullin “Nga paradokset” të publikuar në faqen zvicerane nzz.ch, që synim kishte bërjen publike të disa paradokseve në shoqërinë helvetike. Valoni mbërriti në moshën 5-vjeç në Tessin të Zvicrës me babain e tij, Ragipin, nënën Halime dhe motrën e tij trevjeçare Valentina. Familja e tij kishte jetuar në Mitrovicë, por pas regjimit të egër të Millosheviçit, familja braktisi atdheun dhe kërkoi azil në Zvicër. Pas katër vjetësh kërkesa për azil u pranua, ndërkohë që Valon Behrami nisi të stërvitet në Tessiner Sportvereinen. Në vitin 1998 familja Behrami morri përfundimisht lejën e qëndrimit në Zvicër. Behrami ka luajtur në Itali me Hellas Veronën, dhe në atë kohë ishte së bashku me Erion Bogdanin e Florjan Myrtajn, ndërkohë që te Lacio u bashkua me Igli Taren.
Cana gjen shok, te OM vjen Khalid “kanibali”
Olimpiku i Marsejës është në kërkim të një qendërmbrojtësi, një sektor prej të cilit vuajti jo pak sezonin e kaluar, aq sa trajneri Erik Gerets “transferoi” në këtë repart mesfushorin shkatërrues, kapitenin shqiptar Lorik Cana. Një nga emrat që qarkullon në merkato është holandezi Khalid Boulahrouz. Çelsi është pronar i kartonit të lojtarit të përfaqësueses holandeze, por “tulipani” nuk gjeti shumë hapësirë te blutë londinezë. Khalid Boulahrouz për ndërhyrjet e ashpra të tij ka marrë nofkën “Khalid kanibali”. Edhe 26-vjeçari holandez, ashtu si dhe Lorik Cana “shquhen” për numrin e madh të kartonëve të marrë.
GJASULA- Edhe pse u fol jo pak për një kalim të Jurgen Gjasulës te Lacios, tiranasi me pasaportë gjermane nënshkroi një kontratë trivjeçare për FC Basel në Zvicër. Kontrata e mesfushorit 22-vjeçar skadon më 30 qershor 2011. Gjasula, i lindur në Tiranë, luante nga viti 2005 në Super League-ën zvicerane me FC St.Gallen. Gjasula është rritur në shkollën e futbollit të SC Freiburg. Në vitin 2004, Jurgeni u transferua te ish-ekipi i Bundesligës 1, 1. FC Kaiserslautern, ku më pas kaloi St. Gallen.
XHEMAILI – Herta e Berlinit, “Zonja e vjetër” gjermane është zyrtarisht në kërkim të një mesfushori shkatërrues. Pas refuzimit të brazilianit Mineiro, i cili nuk pranoi të luante në kryeqytetin gjerman, menaxheri i njohur Dieter Hënes është në kërkim të alternativave të tjera, ku një prej tyre është edhe Blerim Xhemaili, shqiptari nga Maqedonia, por me pasaportë zvicerane e që luan në Angli me (Bolton Ëanderers). Xhemaili është në konkurrencë me serbin Ljubomir Fejsa (Hajduk Kula).
6 Qershor 2008