E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lideri perfekt, Balak, më i miri i të gjitha kohërave



Mikael Balak nuk e ka zakon t’i lërë të tjerët ta presin. E njëjta ndodh edhe fizioterapistin e psikologun e tij personal, Hans-Dieter Herman. Flamuj, shtiza dhe kapele kanë mbushur koridoret ku është grumbulluar Kombëtarja gjermane. Të gjitha lëvizjet kanë një orar. Kush e shkel, është i bindur se në fund të Europianit do të njihet edhe me fletën e gjobës. Gjithçka është në kuadrin e disiplinës së rreptë gjermane. Ky ekip ka një shef. Dhe ky quhet Mikael Balak. Bosi mungoi thuajse një vit. Mga marsi i vitit 2007 (2-1 fitore kundër Çekisë) dhe shkurtit 2008 (3-0, fitore kundër Ausrtisë) Balak nuk luajti për Gjermaninë. E gjithë kjo kohë i shërbeu numrit 13 për rikuperimin e tij, me udhëtime të pafundme nga klubi i tij Çelsi, te mjeku i Kombëtares së Gjermanisë. Faza e grupeve të Ligës së Kampioneve ishte edhe më e vështirë akoma, ai nuk ishte në listën e Çelsit. Kohë e vështirë. Gjermania dridhej për Balakun, Mikaeli trembej për ëndrrën e tij më të madhe. Kjo periudhë i përket tashmë së kaluarës. 31-vjeçari zhvilloi 27 ndeshje në nivel të lartë. Kristiano Ronaldo zhvilloi 51 të tilla në total. Fizikisht Balak është në kulmin e tij. “Nuk kam qenë kurrë fizikisht si tani përpara një kampionati”, - thotë Balak. “Mikael është fizikisht kaq i fortë sa kurrë më parë”, - shton jo pa krenari e respekt trajneri Joakim Lëv. Trajneri i Gjermanisë thotë se ai ka në dispozicion Balakun më të mirë të gjitha kohërave. “Dhe në turneun më të nxehtë të gjitha kohërave’, - nuk harron të shtojë ish-ndihmësi i Jurgen Klinsmanit në Kampionatin Botëror 2006, të zhvilluar pikërisht në Gjermani. “Kur erdhi në ekipin Kombëtar, pata një përshtypje, se ai kishte fituar me Çelsin finalen. Nuk munda të dalloja asnjë shenjë zhgënjimi. Këtë mentalitet ai e ka marrë në Angli”, - thotë Lëv. Balak është një lojtar më personalitet të qartë. Ndoshta, tani është edhe më i pjekur për të udhëhequr vendin e tij në një turne të madh. Statistikat e ndeshjes së fundit flasin për të: 101 kontakte me topin, mbi 12 mijë kilometra vrapim dhe tre shanse të mëdha. Për më tepër një gol i jashtëzakonshëm. Me artin e tij Balak ka fituar adhurimin e tifozëve, të cilët i kanë besuar edhe udhëheqjen e ekipit. Mikael është një motivues i madh. Ai flet me lojtarët, i ndihmon ata, por dhe i kritikon kur gabojnë e kundërshtojnë pa të drejtë gjyqtarët. Balak po bëhet jë Lotar Mateus i dytë, si ai që e bëri Gjermaninë kampion bote në vitin 1990. Por është edhe i përzjerë me pak Rudi Fëler, Matias Zamer apo Jurgen Klinsman. Që të gjithë me tituj të fituar. Lojtarë të tillë si Lukas Podolski apo David Odonkor e pëlqejnë cilësinë e udhëheqjes së tij, që është e fuqishme dhe ashpër, por kurrë arrogante. Dhe kanë të drejtë. Ndeshjet e mëdha vendosen nga lojtarë të mëdhënj. Asnjë ekip nuk ka një lojtar si Mikael Balak.

Të gjithë kundër topit Adidas

Pas portierit të Kombëtares gjermane, Jens Lehman edhe mbrojtësi Filip Lahm u ankua për topin zyrtar të Kampionatit Europian. “Topi vibron, këtë mund ta them edhe unë si lojtar”, - tha Lahm. Topi është prodhuar nga kompania e njohur gjermane “Adidas’, që prodhoi sferën pas dy vitesh kërkime, duke i dhënë një strukturë të re. “Kur topi vjen nga një goditje diagonale, dallohet shumë qartë që ai vibron. Për në si lojtarë është shumë i vështirë të kontrollohet Për portierin ky mund të jetë një ndryshim i vogël”.
Portieri Lehman tha: “Duhet të jesh shumë guximtar, nëse do të përpiqesh të ndalosh topin. Mund të pësosh gola më këtë top, që më parë nuk kanë ndodhur kurrë”.

Reali, 19 milionë euro pagë për Ronaldon

“Po, do të më pëlqente të luaja për Realin, nëse do të ishte e vërtetë nëse ata do ta paguanin mua dhe Mançesterin atë shumë që thonë”. Kjo është deklarata e Kristiano Ronaldos. Për jashtëklasin portugez, Reali i Madridit është gati të bëjë çmendurinë e radhës. Sipas shtypit spanjoll, klubi i presidentit Kalderon është gati të paguajë një shifër midis 80 e 90 milionë euro për Mançester Junaitid, ndërkohë që të përditshme spanjolle flasin për një kontratë pesëvjeçare me një rrogë 19 milionë euro në vit.

6 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›