Trezege te Barça, dera e Juves “hapur”
Juventus nuk mbyll derën për një largim të Trezegesë. Thashethemet sportive flasin për një kalim të sulmuesit francez te Barcelona. John Elkann, anëtar i Këshillit Administrativ të “Zonjës së vjetër” pranoi kontaktet midis dy klubeve. Trezege shihet si lojtari ideal për të zëvendësuar Samuel Eto’o, gjithmonë e më shumë në ikje. Te Barcelona ai do të gjejë Tieri Henrinë, për të formuar një dyshe të jashtëzakonshme si dikur te Monako. Trezegol ka thënë së gjithmonë ka dashur të “zbulojë” kampionatin spanjoll.
Emanuel Adebajor i thotë po Milanit
Objektivi i vërtetë i Milanit për sulmin është Emanuel Adebajor. Kuqezinjtë më në fund gjetën akordin me sulmuesin e Kombëtares së Togos, dhe tashmë është radha e Berluskonit të hapë thesin. Presidenti i Milanit do të vendosë për investimin apo heqjen dotë nga sulmuesi i Arsenalit. Milani mundi konkurrencën e Barcelonës, por shuma që duhet të paguajë është 40 milionë euro. Milani pasi huazoi Gurkuf te Bordo, do të transferojë Simic te Galatasaraj, ndërkohë që Kostacurta do të jetë te Getafe.
Napoli, kontakte me Kuranji
Kevin Kuranji është në qendër të merkatos së Napolit. Sulmuesi gjerman me origjinë braziliane i Shalke 04 i ka të fgjitha gjasat të luajë në Serie A. Tratativat janë në fazë të avancuar dhe shumë që do të paguhet për transferimin është 12 milionë euro. Emri tjetër i nxehtë është edhe Falkao Garsia, një sulmues i shpejtë i River Plate, por që zotëron pasaportë komunitare. Në gjurmët e Napolit është edhe German Denis i Indipedente.
Ferguson, “gol” Peter Kenionit
Mançester Junaitid është duke negociuar me Kardif për të bërë të vetin Ramsej, perlën e fundit galeze të ndjekur edhe nga Çelsi.
Ferguson i jep kështu një tjetër goditje në merkato rivalit të madh të tij në Premier League dhe Champions League. 17-vjeçari Aaron Ramsej konsiderohet si një nga talentet më premtuese në futbollin britanik. Edhe pse trajneri i Kardif Siti, Dave Jones, kishte folur me Peter Kenion për ta marrë te Çelsi, djaloshi ra në rrjetën e Mançester Junaitid.
Revoltohet Begaj: “Është një turp”
Romela Begaj, peshëngritësja e dhjetë më e mirë në botë për të rritur, dhe që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, ende nuk e ka marrë shpërblimin si nënkampione e Europe në dygarësh dhe kampione e Europës në stilin e shkëputjes, në pritje të përgjigjes së kontrollit antidoping. “Është një turp, presin një kontroll nga dopingu. Nuk kam marrë asnjë lloj shpërblimi. Paratë më duhen për t’u përgatitur në Olimpiadë, pasi dhe koha është e shkurtër”, - tha Begaj për TV Koha. Trajneri Shaqiri thotë : “Romela do të jetë sportistja më e mirë shqiptare në Olimpiadë”. Romela është sportistja e shtatë shqiptare që kualifikohet direkt në Pekin 2008 nga 10 sportistët që do të marrin pjesë në “Pekin 2008”
6 Qershor 2008