E Diel, 1 Nëntor 2026

Halili akuzon Dukën: Ka shitur ndeshjet e kombëtares

TIRANE- Presidenti i Tiranës Refik Halili ka sulmuar në mënyrën më të ashpër kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, pas akuzave për trukim të publikuara nga UEFA ditën e mërkurë. Duke folur pas mbledhjes së kryesisë së klubit bardheblu, Halili e akuzoi Dukën se po mundohet të fshehë trukimet që ka bërë kombëtarja, duke përfshirë në skandal emrin e Tiranës. “Kjo gjë është e mirëorganizuar nga presidenti i Federatës së Futbollit Armand Duka, që nuk ka asgjë me Tiranën, por e ka me mua personalisht, - deklaroi Halili. – Me këtë ai kërkon të mbulojë rezultatet e turpshme të arritura nga kombëtarja në vitet e fundit. Të gjithë ju i mbani mend rezultatet me Rumaninë dhe Suedinë. Ato të gjitha kanë qenë ndeshje të lëna”. Kreu i klubit bardheblu bëri të ditura për mediat edhe dokumenta të tenderit 2.5 milionë eurosh të ndriçimit në stadiume, që sipas tij është bërë në shkelje të ligjit dhe një nga firmat pjesëmarrëse i është drejtuar Presidentit dhe kryeministrit. “Tenderi duhet të bëhet i hapur, në bazë të të gjitha ligjeve shtetit shqiptar, por një nga firmat pjesëmarrëse në këtë tender është njoftuar në momentin që do merrte pjesë se tenderi është bërë dhe për këtë ka një vendim Komiteti. Një skandal i rëndë, për të cilin ajo i është drejtuar Presidentit, Kryeministrit, Ministrit të Sporteve dhe UEFA-s. Unë po ju them që kur Duka të shpallë kandidaturën për president Federate, do të nxjerr çdo ditë nga një dokument që tregojnë për shkeljet e këtij njeriu”, deklaroi Refik Halili.
Ndërkohë, shefi i klubit Tirana Rauf Dimraj bëri të ditur se UEFA i ka sjellë një shkresë këtij klubi, ku kërkon informacione dhe gjithçka tjetër mbi ndeshjen me Stabaekun, e dyshuar si e trukuar. “Ne do t’u japim të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe gjithçka duan për atë ndeshje. Jemi të pastër dhe të hapur për hetime”, u shpreh ai. Ditën e mërkurë, UEFA bëri të ditur në mënyrë zyrtare se dy ekipe shqiptare, Tirana e Vllaznia, janë në dyshim se kanë trukuar ndeshjet e tyre në Kupat e Evropës këtë sezon.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›