Halili-lojtarëve: Fitoni nëse doni të rrini këtu
Revolucion nga i pari deri tek i fundit, nëse skuadra nuk do të reagojë si duhet në javët në vazhdim. Ky ka qenë pak a shumë thelbi i asaj që ka dashur të thotë dje në mbledhjen e zhvilluar me skuadrën, presidenti i Tiranës, Refik Halili. Sipas tij, ai si njëshi i këtij klubi ka mbajtur të gjitha premtimet konform kontratave që ka firmosur me secilin lojtar në fillim të sezonit, gjë e cila nuk është përkthyer si duhet nga vetë futbollistët në fushën e lojës përgjatë 25 javëve të këtij kampionati. Ndaj presidenti kërkon që lojtarët të reagojnë sa më shpejt, nëse dëshirojnë që të jenë edhe në të ardhmen pjesë e kësaj skuadre.
“Kam pasur një mbledhje me skuadrën, ku në pak fjalë u kam shpjeguar situatën në të cilën ndodhemi. Normalisht, më keq se kaq nuk ka ku të shkojë, ndaj u kam kërkuar atyre që të reagojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, nëse do të duan që edhe në të ardhmen të jenë pjesë e kësaj skuadre. Unë si president i kam mbajtur një më një premtimet e mia kundrejt secilit futbollist, por shikoj se gjithë ky investim, ky mund që kam derdhur për këtë skuadër nuk më është kthyer me të njëjtën monedhë. Në të tilla kushte u jam drejtuar lojtarëve me qëllim që ata të kuptojnë mirë se çfarë gjendje janë dhe të reagojnë, përndryshe edhe unë do të lexoj kontratat e tyre në bazë të objektivit që kam vënë ndaj skuadrës në fillim të sezonit. E ritheksoj se kam qenë absolutisht shumë korrekt me skuadrën, edhe në momentet kur të ardhurat tona ishin dhe vazhdojnë të jenë të bllokuara në Federatë”, ka pohuar presidenti i Tiranës, Refik Halili.