Muça, presidentit Sulaj: Jam Kampion prej Fazës 2
Trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça ka reaguar me butësi pas deklaratave të presidentit të bluve, Besnik Sulaj, në gazetën “Panorama Sport”. Muça ka pranuar që 18 pikët diferencë, titulli kampion i hipotekuar e bëjnë të ndjehet mirë me skuadrën. “Unë nuk komentoj asnjë fjalë të presidentit, respektoj pozicionin e tij. Nuk kam pse të komentoj, unë vazhdoj punën time me këtë skuadër, të cilën kam një vit e gjysmë që e drejtoj. Kaq. Unë jam trajner i kampionëve. Drejtoj një skuadër kampione dhe jam i kënaqur që jam pjesë e një klubi kampion. Tashmë titulli është i hipotekuar dhe unë e kam thënë që dua të vazhdoj të jem më gjatë me këtë skuadër. E deklaroj dhe një herë nuk komentoj dhe nuk kam për të komentuar asnjëherë fjalët e presidentit, sepse kështu respektoj pozicionin tim. Pozicioni im është të vazhdoj punën”, ka nënvizuar Muça. Ndërkohë tekniku e ka argumentuar dhe barazimin e fundit me Kastriotin i cili, sipas tij, është i pranueshëm. “Ekipi luajti. U mundua ta fitonte ndeshje. Bëri lojën e vet, krijoi raste. Por ajo që duhet të themi se nuk bëri lojë të shkëlqyer, deri diku të mirë. Kështu që gjithçka është normale”, ka pohuar Muça.