Mançester-Bajern, financat në mes
Dy skuadra të njëllojta përsa i përket forcës së tyre në kampionatet respektive, por me shumë ndryshime kur i merr në analizë përballë njëra-tjetrës. Ndryshimi nuk është vetëm në fushë, por këto dy ekipe paraqesin një fizionomi krejtësisht të ndryshme, si në drejtim, ashtu dhe për sa i përket administrimit të financave të tyre. Ndërsa tifozët e Mançester Junajtid janë ngritur në protesta për largimin e familjes drejtuese, tifozët e Bajernit janë të sigurt financiarisht dhe nuk kanë krijuar asnjë konflikt me pronarët e klubit. Të ndryshme janë gjithashtu edhe rregullat mbi të cilat dy ekipet administrojnë financat e tyre. Në Gjermani, fansat kanë përfaqësimin e tyre në drejtimin e klubit dhe me financat e këtij të fundit nuk mund të luhet për të likujduar borxhet e pavarura nga klubi të pronarëve të saj. Ky rregullim ligjor ka bërë që Bajerni të ketë shifrën 0 të borxheve, duke i lejuar kështu klubit të shesë bileta për 12 euro, në një stadium të klasit botëror. E kundërta ndodh me Mançester, i cili tashmë ka 716.5 milionë paund borxhe. Ky borxh, i cili është më i madh se i të gjithë ekipeve të dy kategorive të para gjermane është duke rënduar te tifozët, të cilët ndryshe nga bavarezët paguajnë për të parë ekipin e tyre në “Old Trafford”, plot 96 euro në Ligën e Kampioneve dhe mesatarisht 2 herë më shumë në kampionatin vendës se ato të Bajernit.