E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Task-forca për të eliminuar problemet në shëndetësi”

Autori i Lajmit: Lili Saraci
Ngritja e një task-force në shëndetësi do të shërbejë për të lehtësuar sadopak problemet që ka sot sistemi shëndetësor. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, bëhet e ditur se ngritja e task-forcës do të shërbejë për të përcaktuar hapat e qartë në reformën shëndetësore. “Kryeministri Berisha ka ngritur një task-forcë për të përcaktuar hapat e qartë të një strategjie për thellimin e reformës në Shëndetësi, ku janë pjesëmarrës aktorët kryesorë të sistemit shëndetësor. Takimet kanë qenë të vazhdueshme dhe nga çështjet e diskutuara është hartimi i një paketë të detajuar të shërbimit të urgjencës, mirëfunksionimi i këtij shërbimi dhe shpërndarje më efikase e tij në të gjithë vendin”,- ka pohuar Hana.

Para ca kohe një grup mjekësh të task-forcës kanë pasur një takim me Kryeministrin, mes tyre keni qenë edhe ju. A mund të na renditni disa nga pikat (problemet) që keni diskutuar?

Kryeministri Berisha ka ngritur një task-force për të përcaktuar hapat e qartë të një strategjie për thellimin e reformës në Shëndetësi, ku janë pjesëmarrës aktorët kryesorë të sistemit shëndetësor. Takimet kanë qenë të vazhdueshme dhe nga çështjet e diskutuara është hartimi i një pakete të detajuar të shërbimit të urgjencës, mirëfunksionimi i këtij shërbimi dhe shpërndarje me efikase e tij në të gjithë vendin. Një tjetër çështje e diskutuar ka të bëjë me forcimin dhe përmirësimin e shërbimit të spitaleve rajonale, të cilat do të kenë një paketë gjithashtu të mirëpërcaktuar shërbimesh për të cilën po punohet. Gjithashtu, është diskutuar lidhur me thellimin e autonomisë së spitaleve në të gjithë vendin, në mënyrë që vetë spitalet të kenë më shumë mundësi për vetëmenaxhim, çka do të sjellë një përdorim më efikas të fondeve dhe për rrjedhojë më shumë cilësi shërbimi për pacientët.

A keni diskutuar se si do të veproni për të përmirësuar kushtet në QSUT, dhe sidomos në urgjenca, që mungesa shkon deri te shtretërit?
Sikurse ju përmenda, një nga pikat e diskutuara ka qenë hartimi i një pakete të urgjencës, në mënyrë që të përmirësohet ndjeshëm ky shërbim. Kjo paketë do të jetë e matshme dhe do të bëhet shpërndarja e këtij shërbimi në mënyrë racionale në të gjithë vendin. Përcaktimi i një pakete të qartë edhe për të gjitha spitalet në vend, përfshi edhe QSUT, do të jetë një nga sfidat e afërta që do të lidhë performancën e shërbimit me pagesën për çdo spital. Në këtë mënyrë do të nxitet rritja e cilësisë së shërbimit.

Po për mungesën e barnave në spital (pak ditë më parë në një emision televiziv në TVSH, pacientët shpreheshin se ilaçet i blejnë vetë) a keni diskutuar dhe a keni arritur në një zgjidhje?
Ka dy lista të barnave, e para është lista e barnave të rimbursueshme, e cila është gjithmonë në treg dhe ISKSH ka arritur të bëjë të mundur që të mos ketë mungesa të barnave të rimbursueshme falë një mirëmenaxhimi të fondeve. Barna të kësaj liste (disa barna të shtrenjta si exjade, interferoni etj) janë edhe në QSUT dhe këto barna gjithashtu nuk mungojnë për pacientët. Ndërkohë që ka një listë tjetër të spitaleve, e cila ka qenë shpesh problematike, pasi spitalet deri tani thjesht kanë bërë kërkesa për barna dhe Ministria ka plotësuar nevojat brenda mundësive. Për të rregulluar këtë gjendje, ne ngulmojmë te rritja e autonomisë së spitaleve, e cila do të sjellë më shumë mundësi për drejtuesit e tyre për të përdorur të ardhurat për nevojat e secilit spital. Ajo çka synojmë me skemën e sigurimeve, e cila ka përfshirë tashmë edhe spitalet është menaxhimi i të ardhurave nga vetë ata, sigurisht të kontrolluar nga ISKSH dhe Ministria e Shëndetësisë. Aktualisht, po punohet për të pasur një listë spitalore të medikamenteve, të mirëpërcaktuar dhe transparente. Një tjetër mundësi që është krijuar për të plotësuar nevojat me medikamente janë të ardhurat dytësore. Falë vendimit të Qeverisë dhe udhëzimit për zbatim të ISKSH-së, të gjitha spitalet mund ti përdorin 40% të të ardhurave që mbledhin vetë (nga të pasiguruarit) për barna dhe materiale mjekësore.

Po sa i takon mungesës së mjekëve specialistë në rrethe apo profesionistëve, është diskutuar nga grupi i mjekëve të kësaj task-force?
Ajo që synohet është lidhja e shërbimit për pacientët me financimin edhe për spitalet, sikurse ndodh në shërbimin parësor. Kjo mënyrë e re financimi do të motivojë mjekët të shkojnë dhe në zona të largëta. Një shembull për tu përmendur është ai i shërbimit parësor, i cili mbulohet nga skema e ISKSH. Ne, aktualisht, paguajmë mjekët e familjes sipas performancës, por edhe vendndodhjes gjeografike, çka ka bërë që mjekët të shkojnë në zona të largëta, pasi paguhen edhe për vështirësi pune.

Mbas këtij takimi që keni pasur me kreun e Qeverisë, a mund të themi se do të zgjidhen një sërë problemesh dhe do të dalë sektori shëndetësor nga kriza në të cilën ndodhet?
Janë një sërë takimesh të zhvilluara në kuadër të task- forcës së ngritur nga Kryeministri, të cilat do të vijojnë. Jam e bindur se sektori shëndetësor do të ketë një reformim të thellë, pasi është një prioritet shumë i rëndësishëm i Qeverisë.

Mjekët e rretheve nuk u japin ilaçe me rimbursim pacientëve me pretendimin se kanë marrë urdhër që të mos shpërndajnë, pavarësisht se ato janë në listën e ilaçeve të rimbursueshme, si qëndron problemi?
Nuk është e vërtetë, pasi ISKSH nuk jep urdhra për mos shpërndarje ilaçesh që janë në listën e barnave të rimbursueshme. Ka protokolle mjekimi të hartuara nga vetë mjekët dhe të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë të cilat duhet të zbatohen.

ISKSH, inspektim spitaleve të rretheve

Gjatë intervistës për gazetën, drejtoresha e ISKSH ka bërë me dije se aktualisht janë duke bërë disa inspektime në spitalet rajonale të vendit, për këtë janë ngritur grupe pune të posaçme. “Aktualisht, po kryhen inspektime në disa zona të Shqipërisë. Grupet tona të kontrollit janë shpërndarë në veri dhe në jug dhe për herë të parë, përveç qendrave shëndetësore dhe farmacive, të cilat janë kontrolluar rregullisht, pas përfshirjes së tyre në skemën e sigurimeve, po kontrollohen edhe spitalet”,- ka pohuar Hana. Ndër të tjera ajo ka shtuar se përveç inspektimeve të spitaleve ato në të njëjtën kohë kanë duke bërë një studim të tyre për mënyrën e funksionimit të tyre. “Aktualisht jemi duke ndërmarrë një studim në të gjithë vendin për të parë gjendjen aktuale, çfarë shërbimesh ofrohen realisht dhe më pas do të paraqesim platformën tonë të propozimeve për ndryshimet që mendojmë së duhen ndërmarrë”,- ka pohuar Hana.

Ky lajm është publikuar: 04/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›