E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e vërtetë e vejushës së Kolonelit Zampa të Kadaresë

Xhelal Staravecka dhe Enver Hoxha

U promovua libri me kujtime të Xhelal Staraveckës.

Mbrojtja që e veja e kolonelit i bën Xhelal Staraveckës në gjyqin kundër tij në Itali.

E quajtën një libër të ashpër, të pamëshirshëm, por shumë të rëndësishëm për zbardhjen e historisë së Shqipërisë, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Pas disa muajsh që ka dalë në qarkullim, u promovua dje në ambientet e Akademisë së Shkencave libri me kujtime i një prej figurave më të njohura të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Xhelal Staravecka. Nën moderimin e publicistit Fatos Lubonja, historianë e studiues si prof. dr. Pëllumb Xhufi, prof. dr. Shaban Sinani, botuesi Naim Zoto folën rreth kujtimeve historike të Staraveckës, jo vetëm një nga krerët e luftës, por edhe denoncues i ndërhyrjes jugosllave në Shqipëri, çka e çoi edhe drejt ndarjes me komunistët. I pranishëm në këtë promovim ishte edhe i biri i autorit të librit, Naim Stravecka, ish-i dënuar politik gjatë regjimit komunist, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, më në fund përmes këtij libri, shqiptarët do të mësojnë se cila është e vërteta e shumë ngjarjeve historike, të cilat janë deformuar gjatë viteve të diktaturës. Përpara gjyqit të historisë, kujtime historike të Xhelal Staraveckës (1912-1975), është botuar nga shtëpia botuese Naimi në kuadër të 100-vjetorit të shtetit shqiptar dhe 100-vjetorit të lindjes së autorit. Libri është shkruar në vitin 1966 në Paris dhe publikohet për herë të parë, sipas dorëshkrimit origjinal të autorit lënë trashëgim familjes. Qindra personazhe e personalitete, kryesisht politike, të viteve 1912-1966, ndriçohen përmes ngjarjeve, fakteve, kujtimeve të autorit. Tri janë nyjat kulmore të këtyre kujtimeve, ku autori është protagonist: Mbretëria e Zogut e kryengritja e Fierit, Lëvizja Antifashiste e lufta partizane, si edhe fati i mërgatës politike shqiptare në Perëndim. Sipas prof. Xhufit, Kujtimet e Xh. Staraveckës janë të pamëshirshme për ngjarje dhe protagonistë shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore. Nga libri voluminoz i Staraveckës kemi shkëputur një pjesë interesante, e cila tregon për gjyqin kundër tij, të zhvilluar në Itali. Në skenë hyn një personazh që shqiptarët e njohin përmes romanit të Ismail kadaresë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Bëhet fjalë për vejushën e Kolonelit Zampa, të vrarë në Shqipëri. Staravecka akuzohej pikërisht për vrasjen në Përmet të këtij Koloneli. Sipas kujtimeve të Staraveckës, del se vejusha e bukur e ka mbrojtur atë përpara trupit gjykues italian.

…Pas ca kohe në vazhdim të gjyqit, erdhën tre kolonelë për deponim kundër meje në gjyq, ndër të cilët dy thoshin se i kisha sulmuar në Qafën e Kiçokut në goditjen e dytë që bëra kundër në Përmet-Kuqar, Këlcyrë-Grykë Këlcyre dhe në Qafën e Kiçokut, dhe i treti ishte komandant i regjimentit të kazermave të Përmetit në goditjen që i bëra atij qyteti në 28 nëntorin e 1942. Pas pak minutash të ardhjes së tyre, erdhi një zonjë e veshur në zi, por një zonjë mjaft e bukur në kuptimin më të gjerë të fjalës.
Sapo hyri ajo zonjë, të gjithë pa përjashtim filluan, ashtu si e ka temperamentin italiani, por më shumë prokurori Donato, të ndreqnin kravatat, të shtrinin me dorë qafat e palltove nëse ishin skrupullosur, tu jepnin nga një të goditur me shuplakën e dorës flokëve duke i fërkuar nga poshtë drejt tëmthave lart dhe prapa kokës, duke munduar të vinin në dukje vijën e hekurit të pantallonave. E, ku të di unë se sa e sa gjeste që lindin në çaste të atilla në psikikën e italianit, që është tamam si palloi, i cili për të tërhequr palluarkën apo palleshën, vë në dukje bukurinë e tij madhështore me pendët shumëngjyrëshe të bishtit e të trupit.
Ajo zonjë që ishte vejusha e një kapiteni që e kisha vrarë në një nga ndeshjet e mia kundër ushtrisë italiane, e pikërisht në 28 nëntorin e 1942 në Përmet, e kishin thirrur të prezantohej e të ankohej kundër meje në gjyq. Natyrisht, se i kisha vrarë burrin…
Si thashë këtu më lart, se patjetër prokurori nuk do të rrinte pa më ofenduar në atë seancë. Këtë e parashikova sapo u hap audienca në të cilën ndodhej dhe ajo vejushkë që tregova këtu më lart.
Sapo mbaruan dy kolonelët e Qafës së Kiçokut tregimin e tyre, për çudinë time, koloneli që filloi të fliste, ishte bash ai i kazermave të Përmetit, i cili me një thjeshtësi ushtarake, dhe madje mund të them për të tamam si ushtar, filloi të fliste mbi goditjen e Përmetit dhe të kazermave, pa treguar as mërinë më të vogël, përkundrazi tha:
-Më vonë u dorëzuam dhe nxorëm shenjën e dorëzimit, mirëpo për çudi, ndërsa prisnim të na thoshin të dilnim jashtë për të na marrë në dorëzim, vazhdonte heshtja. Pas 20 minutash e kuptuam pse nuk erdhën të na bënin robër, kur tek porta e kazermave u shfaq patrulla e autokolonës që na erdhi në ndihmë nga Gjirokastra. Nga kjo autokolonë Staravecka i tërhoqi partizanët e tij nga rrethimi i Përmetit.
Dua të shtoj se shumë deponime në gjyq nga persona që nuk kishin deponuar në prokurori dhe që ishin thirrur gjatë gjykimit, nëse deponimet e tyre ishin në favorin tim, ose për një arsye ose për një tjetër, nuk u pëlqenin, nuk i regjistronin në procesverbalin e gjykimit.
Sapo mbaroi tregimin koloneli, prokurori me atë eufori dhe histerizëm që kishte në shpirtin e tij, iu drejtua kolonelit duke i vënë në gojë foljen ikje (scappare), ndërsa koloneli insistonte në foljen tërheqje (ritirata).
-Tek e fundit, -tha koloneli,- ishte krejt e logjikshme tërheqja pasi kishte luftuar për afro 10 orë pa ndërprerje, dhe më në fund erdhi një fuqi e madhe taze, patjetër nuk kishte tjetër udhë, veç tërheqjes…
Mirëpo prokurori kishte nevojë të më zhvleftësonte, natyrisht duke u ngrehur si gjel deti jo vetëm për të mbrojtur prestigjin  e ushtrisë italiane, por më shumë për të hyrë në qejfin dhe simpatinë e vejushës së bukur. I shtyrë sidomos nga ai shkak, u ngrit në këmbë, por i përkulur mbi tavolinën mbi të cilën kishte vënë të dyja duart e gati pas një gjysmë minute heshtje filloi duke më treguar me gisht:
-Shihni atë njeri! Ai me atë shkathtësinë e tij të urryer, i kishte bindur falsërisht të gjithë ata që e njihnin për herë të parë apo e kishin dëgjuar emrin e tij se ishte një nga burrat trima të Shqipërisë, kurse në të vërtetë nuk ka qenë aspak kurajoz, se kur është ndodhur përpara rrezikut, e ka evituar vdekjen, si, për shembull, kur e pa në Shqipëri se bashkatdhetarët e tij nuk do tia kishin kursyer plumbin, mbushi këmbët dhe iku dhe ja tek e kemi këtu…
Sapo mbaroi prokurori, u ngrita dhe mora fjalën dhe ai nuk u ul, se imagjinonte se do ti jepja ndonjë përgjigje që do ti përcëllonte atij dhe gjithë italianëve, apo për të më bërë përshtypje mua që mos të shkarkohesha ashtu si ai e njihte natyrën time.
-Zoti prokuror ka shumë të drejtë, se dhe unë vetë jam i bindur se nuk jam aspak trim, pasi aty ku kishte rrezik vdekjeje i jam shmangur, asaj duke ikur me vrap, por vrullin e ikjes në kohë rreziku në pikë të vrapit, e kam mësuar nga ushtria glorioze italiane…
Sapo mbarova fjalën, prokurorin e zuri prapë epilepsia psikohisterike, duke thirrur e bërtitur, mirëpo kryetari i gjyqit ndërhyri dhe pezulloi seancën për 15 minuta e mua më çuan në dhomën e sigurimit aty pranë sallës së gjyqit.
Gjyqi mori ritmin e tij pas as

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›